Last Updated on 15/10/2025 by Leonard
Nis Panairi i 77-të i Librit në Frankfurt, mungon nobelisti László Krasznahorkai
Përgatiti: Leonard Veizi
Në Frankfurt aroma e letrës dhe tingulli i fjalës kthehen çdo tetor në një rit të përvitshëm të kulturës botërore. Qyteti që dikur priste tregtarët e Mesjetës, sot pret tregtarët e ideve, shkrimtarët dhe botuesit, kritikët dhe lexuesit që vijnë nga e gjithë bota për të ndërtuar “urat e lirisë” — motoja e edicionit të këtij viti të Panairit të Librit, i 77-ti me radhë, që hapet sot dhe zgjat deri më 19 tetor.
Është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në planet: priten mbi një mijë autorë e të ftuar, katër mijë shtëpi botuese dhe rreth dyqind mijë vizitorë.
Në ceremoninë e hapjes ra në sy mungesa e fituesit të sapokurorëzuar me Çmimin Nobel për Letërsi, László Krasznahorkai, i cili për arsye shëndetësore nuk mundi të marrë pjesë në Frankfurt. Prania e tij do të kishte qenë simbolike në një edicion që kërkon të rizbulojë rolin e librit si urë komunikimi në kohë ndarjesh dhe luftrash.
Këtë vit, organizatorët e Panairit e kanë vendosur theksin te dialogu dhe ndërveprimi ndërkulturor në një botë ku konfliktet po rriten dhe radikalizohen. “Lidhja e njerëzve është bërë një detyrë politike” — është slogani udhëheqës i këtij viti, që e shndërron librin jo vetëm në mjet estetik, por edhe në akt qytetar.
Një pjesë e rëndësishme e programit do t’i kushtohet lidhjes mes letërsisë dhe rajoneve në krizë, me diskutime për Palestinën — përmes zërit të gazetares gjermano-palestineze Alena Jabarine — dhe për Ukrainën, nga shkrimtarja Tanja Maljartschuk.
Temë qendrore pritet të jetë edhe inteligjenca artificiale dhe ndikimi i saj në industrinë e botimit, me fjalimin e Wolfram Weimer, Nënsekretar Shteti për Kulturën, i cili do të hapë debatin mbi mënyrën si teknologjia po transformon mënyrën e të shkruarit dhe të lexuarit.
Këtë vit i ftuari i nderit është Filipinet, me moton poetike “Imagjinata përshkon ajrin”, marrë nga romani klasik “Noli Me Tangere” i José Rizal. Kjo zgjedhje i jep programit të Panairit një dimension të ri kulturor, ku letërsia shërben si hapësirë për identitetin dhe kujtesën historike.
Ndërkohë, panorama e tregut të librit gjerman mbetet kontradiktore.
Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave, sektori i librarive po përballet me një krizë të heshtur: në vitin 2023 numëroheshin vetëm 2,980 librari, një rënie prej 24% krahasuar me pesë vjet më parë. Numri i të punësuarve në shitjen me pakicë të librave është ulur me 19%, nga 28 mijë në vitin 2018 në 22,620 në vitin 2023.
Megjithatë, ka edhe shenja optimizmi: xhiroja e përgjithshme është rritur me 9%, duke arritur në gati 4 miliardë euro gjatë vitit të kaluar — dëshmi se leximi po ndryshon formë, por jo domosdoshmërisht shpirt.
Në këtë panoramë kontrastesh, Frankfurti mbetet kryeqyteti i fjalës së shkruar. Një qytet ku libri nuk është thjesht produkt, por akt frymëmarrjeje kolektive, një mënyrë për t’u lidhur me tjetrin në një epokë ku komunikimi bëhet gjithnjë e më virtual. Dhe ndoshta për këtë arsye, më shumë se kurrë, “urat e lirisë” të Frankfurtit tingëllojnë si një thirrje për rikthimin te njeriu — përmes fjalës.
