Në të gjitha mediat tradicionale dhe ato online, po flitet për protestën që do të mbahet ditën e premte në orën 17:00 në Tiranë për të kërkuar të drejtat e ish-krerëve të UÇK-së. Teksa ndjenja e patriotizmit ndihet në ajër, duket se kanë filluar të duken edhe gjestet e para të atyre që duan ta përkrahin këtë protestë më gjithë zemër.
Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Pllashniku është nisur në këmbë nga Prishtina drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën e ditës së premte. Lajmin e ka ndarë në rrjetet sociale kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
“Veterani i UÇK-së, Agim Pllashniku niset në këmbë drejt Tiranës, për të marrë pjesë në protestën e ditës së premte më 17 tetor ora 17:00 në “Sheshin Skënderbej”, Tiranë në mbështetje të komandatëve të UÇK-së”,- shkruan Balla./ K.M

