Një arritje historike dhe një nder i jashtëzakonshëm për shtetin e Kosovës dhe gjithë kombin shqiptar. Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Gjeneral Ejup Maqedonci, është përfshirë në “Hall of Fame” të U.S. Army War College, duke u bërë kështu gjenerali i parë shqiptar që merr këtë vlerësim të lartë nga një prej institucioneve më prestigjioze ushtarake në botë.
Ky është një nga nderimet më të mëdha që Kolegji Ushtarak i Luftës i Ushtrisë Amerikane i jep personaliteteve ndërkombëtare që kanë dhënë kontribute të shquara në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe udhëheqjes strategjike.
Ceremonia zyrtare e përfshirjes në “Hall of Fame” u mbajt në Washington D.C., në prani të Gjeneralit Randy A. George, Shef i Shtabit të Ushtrisë së SHBA-së, si dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve ushtarake amerikane. Me këtë nderim, Gjeneral Maqedonci u rendit përkrah liderëve më të njohur ushtarakë e diplomatikë nga e gjithë bota, duke vendosur Kosovën dhe shqiptarët në hartën e ekselencës ndërkombëtare të mbrojtjes.

Në një publikim në rrietin e tij social Facebook pas ceremonisë, Ministri Maqedonci u shpreh se ky vlerësim është më shumë se një arritje personale dhe është një nder për të gjithë ata që kanë ndërtuar me përkushtim dhe profesionalizëm Forcën e Sigurisë së Kosovës. /K.M
