Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita ka nisur zyrtarisht procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bardhi akuzoi Presidentin për sjellje të njëanshme dhe shkelje të rënda të Kushtetutës.
“Kam njoftuar kërkesën për shkarkimin e presidentit Bajram Begaj. Rama po keqpërdor presidentin”, tha Bardhi në fillim të intervistës.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi renditi 7 shkelje të Kushtetutës nga presidenti.
Bardhi tha se Partia Demokratike do të depozitojë edhe një kallëzim penal ndaj kreut të shtetit për çështjen e pasurisë së tij.
“Ne sulmojmë modelin që zgjedh Edi Rama për të qeverisur se nuk është Bajram Begaj. Bajram Begaj është një individ që e mori Edi Rama dhe e vuri president, pra në qindra intelektualë me integritet, profesionistë e me radhë, Edi Rama mori një njeri ekzaktësisht modelin që i dueht në institucionet shtetërore që mund të kontrollohet, një njeri që mund të akuzohet për afera korruptive, një njeri që mund të shantazhohet.
Presidenti është i vetmi njeri në këtë glob që vëllai i vet i blen shtëpi me para të fituara në emigracion, mami dhe babi blejnë një shtëpi dhe ia shesin presidentit për 2 milionë lekë të vjetra, është i vetmi njeri që duke punuar në ushtri ka privatizuar prona pa kundërshpërblim të ushtrisë, por këto janë histori që nuk kanë lidhje me Kushtetutën, prandaj ne nuk i kemi bërë publike.
Ne po i biem modelit korruptiv që Edi Rama çon në çdo institucion të këtij vendi”,-u shpreh Bardhi. /K.M
