Në tetor të vitit 1950, gjatë Luftës së Koresë, trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të udhëhequra nga forcat amerikane nën komandën e gjeneralit Douglas MacArthur, arritën një fitore të madhe strategjike me pushtimin e Pyongyang-ut, kryeqytetit të Koresë së Veriut.
Pas një sërë kundërofensivash vendimtare, që filluan me zbarkimin në Inchon më 15 shtator 1950 – një nga manovrat më të guximshme detare të historisë moderne – forcat e OKB-së thyen vijat e mbrojtjes së Koresë së Veriut dhe i detyruan ato të tërhiqeshin në drejtim të lumit Yalu, pranë kufirit me Kinën.
Më 19 tetor 1950, trupat amerikane dhe aleate hynë në Pyongyang, duke shënuar herën e parë që një kryeqytet komunist binte në duart e forcave të OKB-së. Luftimet për marrjen e qytetit zgjatën katër ditë dhe ishin jashtëzakonisht të ashpra: qindra ushtarë nga të dyja palët humbën jetën, ndërsa qyteti pësoi dëmtime të mëdha.
Kjo fitore u konsiderua një pikë kthese në luftë dhe u përshëndet si një sukses i madh i komandës së MacArthur-it. Megjithatë, fitorja do të rezultonte e përkohshme. Vetëm pak javë më vonë, ndërhyrja e papritur e Kinës komuniste, me qindra mijëra “vullnetarë të popullit”, do të përmbyste situatën në terren.
Trupat e OKB-së u detyruan të tërhiqeshin, dhe në fillim të vitit 1951, Pyongyang-u ra sërish në duart e forcave koreano-veriore e kineze. Lufta do të zvarritej edhe për tre vjet të tjera, duke përfunduar më 1953 me armëpushimin e Panmunjom-it, pa fitues të qartë dhe me ndarjen e përhershme të gadishullit Korean në dy shtete rivale.
Përgatiti: L.Veizi
