Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, i ka kërkuar Hamasit që të kthejë menjëherë trupat e të burgosurve të vdekur në Izrael, mes të cilëve dy amerikanë, duke paralajmëruar se mosrespektimi i kësaj kërkese mund të çojë në veprime ndërkombëtare.
“Ne kemi një PAQE shumë të fortë në Lindjen e Mesme, dhe besoj se ka një shans të mirë për të qenë E PËRHERSHME,” shkroi Trump duke shtuar më pas se “Hamasi duhet të nisë kthimin e trupave të të burgosurve të vdekur, mes të cilëve dy amerikanë, shpejt, ose vendet e tjera të përfshira në këtë PAQE TË MADHE do të ndërmarrin veprime.”
Ai e pranoi se disa trupa mund të jenë të vështirë për t’u arritur, por të tjerët mund të kthehen “tani dhe, për ndonjë arsye, nuk po kthehen.”
“Mund të lidhet me çarmatosjen e tyre, por kur thashë se ‘Të dy palët do të trajtohen drejt,’ kjo vlen vetëm nëse ata do të përmbushin detyrimet e tyre. Le të shohim çfarë do të bëjnë gjatë 48 orëve të ardhshme. Po e ndjek këtë shumë nga afër.”
Të premten në mëngjes, një zyrtar i lartë izraelit deklaroi se Hamasi ka mundësi të kthejë trupat e deri në tetë të burgosurve të tjerë në Izrael, por nuk dihet ende gjë për vendndodhjen e pesë të tjerëve.
“Ata po luajnë lojëra dhe po zvarrisin procesin për të zgjatur armëpushimin edhe pa kaluar në fazën e dytë, e cila kërkon çarmatosje,” tha zyrtari sipas mediave izraelite.
Ndërsa Hamasi liroi 20 të burgosurit e gjallë sipas planit të Trump-it për Gazën, ai ka zvarritur kthimin e trupave të të burgosurve të vdekur dhe ka pretenduar se nuk di ku ndodhen shumica e trupave.
Të enjten në mëngjes, ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së Eyal Zamir, dhe zyrtarë të lartë nga Drejtoria e Inteligjencës ushtarake ofruan një përditësim për zëvendëspresidentin e SHBA-ve, J.D. Vance, gjatë një takimi në Tel Aviv.
Zyrtarët izraelitë i thanë zëvendëspresidentit amerikan se Hamasi ka kapacitetin të rikuperojë të paktën dhjetë nga trembëdhjetë trupat e të burgosurve që aktualisht janë në Rripin e Gazës, edhe pa ndihmë ndërkombëtare./kb