Më 1922, në Luginën e Mbretërve në Egjipt, do të bëhej një nga zbulimet më të mëdha arkeologjike të shekullit XX. Pas gati pesë vitesh kërkimesh të lodhshme nën rërën e Thebës së lashtë, arkeologu britanik Howard Carter, me mbështetjen financiare të Lord Carnarvon, zbuloi varrin e faraonit Tutankhamun, një sundimtar i ri dhe enigmatik i dinastisë së XVIII egjiptiane.
Zbulimi i dhomës mortore, pothuajse të paprekur nga grabitësit e varreve, tronditi botën shkencore dhe kulturore. Brenda saj u gjetën mbi 5.000 objekte – nga stoli ari dhe armë ceremoniale deri te maska e famshme funerale prej ari masiv, që më vonë u bë simbol i Egjiptit të lashtë.
Ky moment shënoi fillimin e një epoke të re për arkeologjinë dhe të ashtuquajturës “egjiptomani”, që pushtoi Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, Lugina e Mbretërve u kthye në një qendër pelegrinazhi për mijëra turistë, studiues dhe arkeologë nga e gjithë bota.
Por pasuria e zbuluar u shoqërua edhe me legjendën e “mallkimit të faraonit”, që thuhej se goditi ata që hynë në varr. Edhe pse Carter e mohoi çdo lidhje mistike, vdekja e parakohshme e Lord Carnarvon-it pak muaj pas hapjes së varrit vetëm sa e ushqeu këtë mit.
Zbulimi i Tutankhamunit mbetet një nga momentet më magjepsëse dhe më të rëndësishme në historinë e arkeologjisë botërore.
Përgatiti. L.Veizi
