Last Updated on 09/11/2025 by Kesjana
Në edicionin e 31-të të panairit Klik Ekspo Group, ish-ambasadori i Shqipërisë në Slloveni, gjeneral Pëllumb Qazimi, promovoi librin e tij më të ri me titull “Lufta dhe Shqiptarët”, një vepër që synon të vendosë në një kontekst bashkëkohor rolin e kombit shqiptar përballë sfidave të sigurisë globale dhe kuptimit të luftës në jetën moderne.
Në fjalën e tij, gjeneral Qazimi theksoi se mesazhi kryesor i librit është nevoja për të folur më shumë për paqen, në një kohë kur gjithë bota flet për luftën.
“Të gjithë sot flasin për luftën, por pak flasin për paqen, sidomos për atë perfekte, e cila në fakt nuk ekziston. Edhe paqja relative është e vështirë të arrihet dhe kërkon përpjekje të mëdha”, u shpreh autori.
Qazimi shtoi se titulli i librit nuk nënkupton se “lufta është e shqiptarëve”, por më shumë është një reflektim mbi përballjen e përditshme të njerëzve me sfidat e jetës.
“Populli ynë është gjithmonë në luftë — me hallet, me mungesat, me problemet e përditshme. Edhe të mos kesh bukë, ujë apo drita, kjo është një formë lufte. Lufta nuk bëhet vetëm nga ushtarakët, por edhe nga ata që përpiqen të mbijetojnë çdo ditë. Të gjithë jemi pjesë e saj”, u shpreh Qazimi.
Autori zbuloi se idenë e librit e kishte nisur që një dekadë më parë, por vetëm pas daljes në pension, dy vite më parë, iu përkushtua plotësisht shkrimit.
“Kam qenë ambasador në Kroaci dhe më pas në Slloveni. Pas përfundimit të misionit diplomatik në fund të vitit 2023, vendosa t’i përkushtohem këtij projekti që e kisha mbajtur gjatë në mendje”, tha ai.
Libri, megjithëse i shkruar nga një ushtarak, nuk është një studim ushtarak në kuptimin klasik. Qazimi thekson se është një reflektim mbi rolin e njeriut përballë luftës dhe përgjegjësinë e çdo shoqërie për të ruajtur paqen:
“Në libër theksohet se populli shqiptar nuk ka qenë kurrë agresor. Ne nuk kemi goditur asnjë komb. Kjo është një thirrje që, krahas përpjekjeve për paqe, të jemi të përgatitur edhe për luftë, sepse vetëm kështu ruhet ekuilibri.”
Libri “Lufta dhe Shqiptarët” vjen me parathënie nga ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili e vlerëson si një kontribut të çmuar në debatin publik dhe akademik për sigurinë dhe politikën e jashtme të Shqipërisë.
Sipas Bushatit, kjo vepër e vendos diskutimin mbi luftën dhe paqen në një kontekst institucional, duke e bërë pjesë të dialogut bashkëkohor për rolin e Shqipërisë në arkitekturën e re të sigurisë ndërkombëtare.
Ndërsa historiani Marenglen Kasmi, i pranishëm në promovim, u shpreh se libri i gjeneral Qazimit nuk e glorifikon luftën, por as nuk e anashkalon atë.
“Është një studim mbi raportin midis forcës dhe arsyes, midis detyrës dhe moralit, midis historisë dhe të tashmes. Një ftesë për të kuptuar se paqja është detyrë e përbashkët, dhe se kombet që duan ta ruajnë atë duhet të njohin thellë historinë dhe mekanizmat e saj”, tha Kasmi.
Sipas historianit Kasmi, “Lufta dhe Shqiptarët” shihet si një analizë e ndërtuar me maturi shkencore, përvojë të drejtpërdrejtë nga shërbimi diplomatik dhe përkushtim ndaj së vërtetës — një vepër që i jep mendimit shqiptar një kontribut të vlefshëm në reflektimin mbi luftën, paqen dhe përgjegjësinë kolektive për t’i ruajtur ato./kb
