Belinda Balluku u paraqit ditën e sotme në mbledhjen e Komisionit për Burimet Natyrore dhe Infrastrukturën, ku u bë prezantimi i projekt-buxhetit 2026 për ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturën, duke dërguar dy zëvendësministrat.
Në një reagimin në rrjetet sociale, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, thotë se ministrja e marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë, duhet të largohet menjëherë nga detyra sepse nuk mund të fshihet pafundësisht nga Kuvendi.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
Sot të gjithë ministrat, në ushtrim të përgjegjësisë së tyre sipas nenit 80, pika 1 e Rregullores së Kuvendit, ishin prezent në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare që mbulojnë fushën e tyre të përgjegjësisë.
E vetmja që u fsheh ishte E PANDEHURA Belinda Balluku!
E pandehura Balluku nuk mund të sillet sikur asgjë s’ka ndodhur, vetëm për faktin se ajo e di që Edi Rama është peng i korrupsionit të tij dhe nuk mund ta shkarkojë. E pandehura Balluku duhet të largohet menjëherë nga detyra sepse nuk mund të fshihet pafundësisht nga Kuvendi. Ajo nuk mund të fshihet as pas frikës që ka kapur “Palloshin e gjatë”, të cilin e ka marrë peng!
Llogaridhënia është baza e qeverisjes demokratike. Çdo aferë korruptive është taksë e fshehur që i vihet qytetarit shqiptar. Është pengesë për zhvillimin e vendit. Shkon kundër mirëqenies. Është një hap më shumë drejt largimit të të rinjve nga Shqipëria. m.p.
