Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti është shprehur në një postim në rrjetet sociale se buxheti i bashkisë po shkon më shumë për të paguar stafet sesa për investimet.
Teliti shprehet se bashkia duhet të shpjegojë pse për 9 muajt e parë 2025 janë shpenzuar 64 milionë euro për pagat e një administrate të fryrë, ndërkohë që sipas tij për investimet jetike të kryeqytetit ka paguar plot 5 milionë euro më pak.
Ai shton më tej se një tjetër çështje kritike që duhet shpjeguar është si është e mundur që asnjë investim nuk është kryer në programin e arsimit profesional. Sipas tij kjo është një arsye më shumë shumë pse Tiranës i duhet të shkojë për zgjedhje të parakohshme.
Postimi i plotë:
BUXHETI I TIRANËS ME “SHUMË KOKA”: PAGUAN MË SHUMË PËR STAFET SESA PËR INVESTIMET.
?Dikush nga Bashkia me “shumë koka” të na shpjegojë pse për 9 muajt e parë 2025 ka shpenzuar 64 milionë euro për pagat e një administrate të fryrë, ndërkohë që për investimet jetike të kryeqytetit ka paguar plot 5 milionë euro MË PAK.
Dikush nga Bashkia me “shumë koka” të na shpjegojë se pse investimet po kryhen me ritme 4 herë më të ulta sesa planifikimi i po vetë bashkisë?
Dikush nga Bashkia me “shumë koka” të na shpjegojë arsyet e dështimit të investimeve nga mbrojtja civile e zjarrfikësit, e deri te rrjeti rrugor rural dhe strehimi.
Dhe pika kulmore, dikush nga Bashkia me “shumë koka” të na shpjegojë si është e mundur që asnjë qindarkë investim nuk është kryer në programin e arsimit profesional.
Ky nuk është menaxhim, është tallje!
?Tirana s’ka nevojë për “shumë koka”, për të punësuar fiktiv dhe karrige të reja zyrash, por për shërbime, rrugë, shkolla, strehim, siguri dhe funksionalitet.
Një arsye më shumë që Tiranës i duhet ndryshimi, një arsye e fortë më shumë për zgjedhje të parakohshme në bashkinë e kryeqytetit./ K.M
