Steve Witkoff, 68 vjeç, është një biznesmen i pasur dhe i fuqishëm në fushën e pasurive të paluajtshme në New York. Ai nuk ka përvojë politike apo diplomatike, por është i njohur për aftësinë e tij për të negociuar marrëveshje të favorshme, pa u ndikuar nga parimet morale.
I lindur në Long Island në një familje të klasës së mesme, Steve studioi juridik dhe filloi karrierën në biznes që në rininë e tij. Në vitet 80’ dhe 90’ u bë ndër ndërmjetësit më aktiv në zhvillimet e ndërtimit në New York.
Ai filloi të ndërtonte dhe blinte ndërtesa në Manhattan, derisa takoi Donald Trump. Nga kjo njohje lindi një bashkëpunim i ngushtë, i bazuar në pragmatizëm dhe interes financiar.
Kur Trump kandidoi për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, Witkoff ishte një nga mbështetësit e tij financiarë. Ata kanë ruajtur marrëdhënie të ngushta gjatë dekadave, duke luajtur golf dhe duke bashkëpunuar edhe në projekte biznesi, si krijimi në 2024 i kompanisë World Liberty Financial për kriptovalutat.
Pasi Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, ai i besoi Witkoff-it politikën e jashtme amerikane, duke i dhënë përgjegjësinë për çështje të rëndësishme, nga Lindja e Mesme deri në Ukrainë. Pikërisht këtu, u shfaq plani i tij për paqen në Ukrainë, një plan me 28 pika.
Witkoff favorizoi Rusinë dhe Putinin, duke i dhënë atij përparësi pothuajse në të gjitha kërkesat, ndërsa Zelensky u vendos në një pozicion të dobët dhe i kërkohet të pranojë humbje territori, të ulë numrin e ushtarëve dhe të heqë mundësinë e anëtarësimit të vendit në NATO. Putin, nga ana tjetër, rehabilitohet dhe merr mundësinë të ulet në tavolinën e G8.
Për rindërtimin e Ukrainës, plani parashikon që Europa, veçanërisht Belgjika, të përdorë 100 miliardë dollarë të rezervave ruse për projekte në Ukrainë me fitime për SHBA-në. Po ashtu, 100 miliardë të tjerë do të përdoren për projekte të përbashkëta ruso-amerikane dhe Europa duhet të japë edhe 100 miliardë të tjera për rindërtimin.
Peshorja e marrëveshjes ka dy anë, njëra me shumë përfitime për Rusinë dhe tjetra vetëm premtime për Ukrainën. Ai gjithashtu ndërhyn edhe në çështje që nuk janë kompetencë e tij, si pranimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian.
