Një pikturë e legjendarit francez Pierre-Auguste Renoir, e cila nuk është ekspozuar kurrë para publikut që nga krijimi i saj më shumë se një shekull më parë, pritet të shitet në ankand në Paris dhe vlerësohet se do të arrijë të paktën një milion euro (rreth 1.15 milionë dollarë).
Puna, e titulluar “Fëmija me Lodra – Gabrielle dhe Djali i Artistit, Jean”, është pikturuar para vitit 1910 dhe iu dhurua Jeanne Baudot, e vetmja studente dhe mikesha e ngushtë e Renoir-it. Që atëherë ka mbetur në pronësi të familjes së saj.
Piktura paraqet djalin e artistit, Jean Renoir, dhe dado-n e tij, Gabrielle Renard, e cila ishte një nga modelet e preferuara të piktorit, duke u shfaqur në pothuajse 200 vepra të tij, thotë ankanduesi Christophe Joron-Derem.
“Është një kryevepër intimiteti. Shohim marrëdhënien shumë të butë midis Jean Renoir dhe Gabrielle-s, e cila di si ta qetësojë fëmijën që Renoir të mund ta pikturojë”, shtoi Joron-Derem.
Vepra krahasohet me një pikturë me të njëjtin titull që ekspozohet në Galerinë Kombëtare të Artit në Uashington, D.C. Gjatë procesit të autentifikimit, ajo u dërgua në Shtetet e Bashkuara që të vendosej përkrah veprës tjetër për krahasim.
Sipas Pascal Perrin, konsulent arti dhe njohës i veprës së Renoir-it, piktura është në “gjendje të jashtëzakonshme”, duke ruajtur “shkëlqimin dhe ngjyrat e saj në mënyrë perfekte”./mxh
