Last Updated on 25/11/2025 by Monika
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rikthyer në vëmendje sot rëndësinë e procesit të integrimit europian, duke e vendosur atë si një nga shtyllat kryesore të programit politik të PD-së. Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, Berisha nënvizoi se kontributet historike të Shqipërisë në drejtim të integrimit euroatlantik janë të lidhura ngushtë me këtë forcë politike.
“PD ka qenë dhe vazhdon të mbetet absolutisht e përkushtuar në procesin e integrimit. Janë të gjitha integrimet e mëdha të Shqipërisë si vepër e kësaj partie”, shkruan Berisha, duke theksuar se angazhimi për afrimin e vendit me strukturat europiane mbetet prioritet i pandryshuar.
Deklarata vjen në një kohë kur procesi i integrimit është çështje kyçe në debatin politik, ndërsa PD synon të riafirmojë rolin e saj historik në këtë drejtim. Berisha u shpreh se ky zotim do të vijojë të jetë pjesë themelore e vizionit të partisë për të ardhmen e vendit./mxh
