Nga Leonard Veizi
Nëntori 1912. Në atë kohë turbullirash, kur harta e Ballkanit po rishkruhej me gjak dhe zjarre, populli shqiptar qëndronte në udhëkryqin e frikës dhe shpresës. Pavarësia nuk erdhi si një dhuratë, por si një nevojë urgjente, e lindur mes dilemës së një ndarjeje të dhimbshme me të kaluarën dhe guximit për të nisur një të ardhme krejtësisht të panjohur…
…Historia e një kombi shpesh nuk shkruhet vetëm nga datat solemne dhe ceremonitë zyrtare; ajo shfaqet edhe në çastet e turbullta, në dilemat e elitave dhe në ato skena të vogla të së përditshmes që bartin një thelb më domethënës. Ngritja e Flamurit në Tiranë, më 26 nëntor 1912 – dy ditë para aktit madhor në Vlorë – është pikërisht një nga ato skena ku historia shpaloset me gjithë kompleksitetin e saj të brendshëm.
Sfondi historik, një ndarje e vështirë
Marrëdhënia pesëshekullore mes shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane mund të përshkruhet si një lidhje ironike dhe e dyzuar. Porta e Lartë e shihte veten si një “vëlla të madh”, ndërsa shqiptarët e kishin jetuar këtë vëllazëri shpesh si një barrë historike. Edhe ndarja, kur erdhi, nuk u prit pa dilema. Ishte e vështirë të hiqej dorë nga një realitet ku shumë shqiptarë kishin zënë poste të larta në administratën osmane, ndërsa popullsia e gjerë ende nuk e kishte përvetësuar plotësisht idenë e krijimit të një shteti të pavarur.
Ky sfond i ndarë, mes nostalgjisë dhe nevojës historike, shënon nisjen e Epokës së Pavarësisë.
26 Nëntor 1912 – Tiranë
Në kushtet e rrezikut real të copëtimit të Shqipërisë nga fqinjët ballkanikë, patriotët shqiptarë ndërmorën hapa vendimtarë. Akti simbolik që i parapriu shpalljes zyrtare të Pavarësisë ndodhi në Tiranë, më 26 nëntor 1912.
Flamuri kombëtar u ngrit në sheshin përpara asaj që sot është Biblioteka Kombëtare, nga patriotë tiranas si Abdi Toptani, Muhamer Pazari, Ibrahim Agalliu dhe Shefqet Ndroqi.
Përtej aktit të thjeshtë, historianët theksojnë se ajo ditë nuk ishte thjesht një garë për të qenë i pari. Ishte një moment i vështirë për vetëdijen shqiptare, ku vizioni i qartë i Pavarësisë ishte monopol i një elite të vogël me në krye Ismail Qemalin.
Në atë mbledhje, Refik Toptani, me një ton të thellë që pasqyronte dramën e ndarjes, iu drejtua turmës me fjalët:
“O vllazën, me hidhërim të thellë po ju njoftoj se puna e pru me u nda prej vllazënve tanë turq. Ai flamur që u valëvit në shekuj tani duhet të zbresë dhe të ngjisim flamurin shqiptar. Rroftë flamuri shqiptar!”
Nga feja te Kombi, drama e identitetit
Fjalët e Toptanit nxjerrin në pah dramën e kohës: ishte një popull i mësuar të identifikohej me fenë brenda Perandorisë Osmane, të cilit i duhej papritur të përqafonte një identitet të ri, thjesht kombëtar.
Fenomeni i ngatërrimit të identitetit etnik me atë fetar nuk ishte i ri, por tek shqiptarët mori një ngjyrim të veçantë. Këtë e kishte kuptuar thellë Faik Konica që në vitin 1900, kur shkruante: “O shqiptar, thuaj jam mysliman, mos thuaj jam turk.”
Sipas disa historianëve, kjo kthesë ishte gati-gati një “aventurë historike”, meqenëse themelet e shtetit të ri duhej të ngriheshin mbi një popullsi gjerësisht të paarsimuar dhe me ndasi të forta krahinore e fetare. Kjo situatë nxiti nevojën urgjente për ndërtimin e kombit, njësoj siç shprehej Kristo Floqi, i frymëzuar nga Masimo d’Azeglio:
“Shqipëria u bë, tani të bëjmë shqiptarët.”
Frymëmarrja e parë
Ngritja e Flamurit në Tiranë, më 26 nëntor 1912, nuk ishte një akt ambicie lokale apo konkurrence. Ajo ishte një shenjë e gjallë e një shoqërie që po lëvizte mes frikës së copëtimit dhe shpresës së lirisë. Ishte çasti i vogël i një drame të madhe, që kulmoi dy ditë më vonë
Ajo që ndodhi në Tiranë mund të shihet si frymëmarrja e parë e një kombi që ende nuk e dinte si do të ecte, duke i paraprirë vendimit historik të Ismail Qemalit. Ndërsa 28 nëntori 1912 në Vlorë mbetet çasti kur ai komb, më në fund, u ngrit zyrtarisht në këmbë si shtet i pavarur.
