Një nga dy anëtarët e Gardës Kombëtare që u qëlluan në Uashington DC të mërkurën ka vdekur, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Sarah Beckstrom, 20 vjeç, ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra, tha Presidenti Trump të enjten në mbrëmje.
Anëtari i dytë i Gardës Kombëtare, 24-vjeçari Andrew Wolfe, po lufton për jetën e tij, tha Trump.
Të dy u qëlluan nga afër pranë Sheshit Farragut në qendër të qytetit, pak pas orës 14:00 EST (19:00 GMT) të mërkurën. Policia ka arrestuar një të dyshuar për të shtënat, Rahmanullah Lakanwal, një 29-vjeçar nga Afganistani.
Presidenti Trump konfirmoi vdekjen e zonjës Beckstrom gjatë një telefonate me anëtarët e shërbimit amerikan për Ditën e Falënderimeve.
“Sarah Beckstrom nga Virxhinia Perëndimore, një nga ushtarët për të cilat po flasim, një person shumë i respektuar, i ri dhe i mrekullueshëm… Ajo sapo ka ndërruar jetë. Nuk është më me ne”, tha ai.
Trump më vonë foli me prindërit e saj, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për partnerin amerikan të BBC-së, CBS News. Beckstrom ishte rekrutuar në ushtri më 26 qershor 2023 dhe ishte caktuar në Kompaninë e 863-të të Policisë Ushtarake, Brigada e 111-të e Xhenios së Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Virxhinias Perëndimore.
Ajo ishte ofruar vullnetare për të punuar në kryeqytetin e vendit gjatë festës amerikane të Falënderimeve, tha Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi për Fox News pas të shtënave./ K.M
