Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Tesla po mendon seriozisht të sjellë CarPlay. Po, Tesla. Po, CarPlay. Dy gjëra që deri dje dukeshin si ujë dhe vaj.
Sipas një raporti të ri, funksioni është në zhvillim, edhe pse ka ende shanse të anullohet para se të dalë publikisht. Por fakti që po punohet është një kthesë serioze. Tesla ka qenë prej vitesh në pozicionin “nuk na duhet CarPlay, bëjmë gjithçka vetë”. Ndërkohë, klientët kanë qenë në pozicionin “ju lutem, mos na lini me aplikacionet gjysmake”.
Për ta bërë të qartë: Tesla nuk po synon versionin futurist CarPlay Ultra, por CarPlay-in standard. Dhe arsyeja është e thjeshtë: sot, në vend të CarPlay apo Android Auto, Tesla përdor një përzierje aplikacionesh të integruara si Spotify, Tidal dhe Apple Music, të cilat shpesh s’janë në nivelin që përdoruesit presin. Plus, duhen paguar edhe 10 dollarë në muaj për lidhjen premium që t’i përdorësh si duhet.
Tani, pse është ky lajm i madh? Sepse shumë njerëz kanë hezituar të blejnë Tesla për këtë arsye të vetme. Studimet tregojnë që rreth gjysma e drejtuesve nuk e marrin një makinë në konsideratë nëse nuk ka CarPlay ose Android Auto. Në vitin 2024 dhe 2025 kjo është si të mos kesh Bluetooth.
Për momentin, mbetet ende në laborator. Por të paktën për herë të parë, duket sikur Tesla po lëviz drejt asaj që kërkon shumica e njerëzve: thjesht të kenë telefonin e tyre në ekranin e makinës, pa komplikime./kb
