Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të digjitalizimit të pagesave. CEO e AK Invest, Suzana Adili, në një intervistë për “Dritare” me Ronald Qafokun, foli gjerësisht për aplikacionin dhe portofolin digjital eReja, të cilin e cilësoi si një “revolucion teknologjik”. Ajo theksoi se ky inovacion përbën një moment kyç jo vetëm për kompaninë, por për të gjithë ekosistemin e pagesave në Shqipëri.
Sipas saj, falë bashkëpunimit me MoneyGram dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, AK Invest ka arritur të sjellë në treg një sërë risi që konsiderohen të paprecedenta edhe në nivel europian. Adili shpjegoi se eReja është shumë më tepër sesa një mjet për të dërguar para. Ai funksionon si një portofol i plotë financiar që i lejon përdoruesit të kryejnë transferta ndërkombëtare direkt nga telefoni, pa pasur nevojë të shkojnë në sportele fizike dhe me komisione më të favorshme.

Ajo e lidhi këtë zhvillim me vizionin e themeluesit Ilir Adili, i cili gjithmonë synonte të ishte “dy hapa përpara” tregut. Ndër funksionet më të spikatura që përmendi janë opsioni “Cash to Account”, që mundëson dërgimin e parave cash direkt në llogari bankare, si dhe integrimi me kartat Visa dhe Mastercard, duke bërë të mundur realizimin e transfertave përmes kartave.
Sipas saj, krijimi i një platforme të këtij niveli kërkoi një punë të jashtëzakonshme në prapaskenë, që përfshinte testime të shumta, certifikime sigurie dhe respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare. Adili, së bashku me kryetarin e Këshillit Drejtues të AK Invest, Elvin Meka, theksuan se eReja u jep përdoruesve kontroll maksimal mbi financat e tyre dhe një transparencë të plotë në çdo operacion. Aplikacioni është konceptuar për të qenë i aksesueshëm për të gjitha grupmoshat, si për të rinjtë që janë rritur me teknologjinë, ashtu edhe për ata që po bëjnë kalimin gradual drejt përdorimit të parasë elektronike.
Nga ana tjetër, Elvin Meka theksoi se kjo risi nuk duhet parë si një pajisje apo shërbim teknologjik për efekt marketingu, por si një nevojë strategjike për të ardhmen. Ai u shpreh se financat po zhvendosen me shpejtësi drejt dimensionit digjital dhe se institucionet që nuk përshtaten rrezikojnë të mbeten pas. Meka vlerësoi edhe një herë rolin e themeluesit Ilir Adili, i cili, edhe pse shpesh mbetet larg syrit të publikut, ka qenë nxitësi kryesor i këtyre ideve inovative.
Nën drejtimin e tij, në AK Invest u krijua një kulturë ku idetë e reja jo vetëm priteshin me pozitivitet, por inkurajoheshin dhe zhvilloheshin vazhdimisht. Kjo filozofi e çoi institucionin nga një kompani tradicionale transfertash në një FinTech modern, i aftë të konkurrojë edhe bankat klasike me ritmin dhe fleksibilitetin e vet. m.p.
