Në Berlin, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se Gjermania nuk ka nevojë për këshilla të jashtme në çështjet e brendshme, duke iu përgjigjur kritikave të fundit nga administrata amerikane.
Ai foli gjatë një konferenve të përbashkët me ministren e jashtme të Islandës, Thorgerdur Katrin Gunnarsdottir.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dhe mbeten aleati ynë më i rëndësishëm në aleancë. Megjithatë, kjo aleancë fokusohet kryesisht në çështje politike dhe të sigurisë. Sigurisht, bazohet edhe në vlera të përbashkëta, por unë besoj se tema si liria e shprehjes apo organizimi i shoqërisë sonë të lirë nuk bëjnë pjesë në këtë kontekst. Dhe nuk mendojmë se dikush duhet të na japë këshilla për këto çështje, ato rregullohen nga rendi ynë kushtetues,” theksoi ministri i jashtëm gjerman,
Ministri gjerman nënvizoi se Gjermania i ka diskutuar gjithmonë këto tema brenda vendit dhe do të vazhdojë të veprojë po njësoj.
“Ne jemi të lumtur dhe mirënjohës që Gjermania ka mundur t’i trajtojë këto çështje deri më tani brenda vendit, dhe besojmë se edhe në të ardhmen do të vazhdojmë ti diskutojmë pa pasur nevojë për këshilla nga jashtë,” deklaroi ministri.
Deklaratat e Wadephul vijnë pas Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare të SHBA, e cila paralajmëron se Evropa mund të përballet me shpopullim për shkak të emigrimit dhe uljen e numërit të lindjeve nëse nuk I ndryshojnë politikat.
