Protestat e fermerëve në Greqi po marrin përmasa të reja, me bllokada të zgjeruara në akse rrugore dhe paralajmërime për bllokime portesh e aeroportesh gjatë kësaj jave. Fermerët deklarojnë se janë të gatshëm të kalojnë edhe Krishtlindjet në rrugë, nëse kërkesat e tyre kryesore, përfshirë shlyerjen e detyrimeve nga OPEKEPE dhe masa të reja mbështetëse, nuk plotësohen.
Presion politik ndaj qeverisë
Përshkallëzimi i mobilizimeve ka krijuar një klimë presioni ndaj qeverisë greke, ndërkohë që kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka sinjalizuar dy herë gatishmëri për dialog gjatë fundjavës. Megjithatë, zyrtarët qeveritarë vlerësojnë se koha për bisedime mund të jetë e largët, pasi protestuesit ende nuk kanë caktuar një përfaqësi zyrtare për bisedime — diçka që pritet të ndodhë në ditët në vijim.
Fermerët, sipas vlerësimeve të qeverisë, janë të gatshëm të luajnë vonesë për të ushtruar presion maksimal ndaj autoriteteve.
Bllokada të reja në rrugë, porte dhe pika kyçe
Në një mbledhje të përgjithshme të dielën, fermerët vendosën. Bllokim dyorësh të rrugëve anësore sot, të hënën, nga ora 17:00–19:00.
Të mërkurën, bllokim të Portit të Volosit nga toka dhe deti.
Bllokim të pikës së Kastron në Beoti, që tashmë ka filluar. Përhapja e bllokadave në autostradën kryesore Athinë–Selanik e ka bërë qarkullimin shumë të vështirë dhe me vonesa të gjata. Policia pritet të testojë sërish strategjinë e saj për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, përfshirë portet dhe aeroportet.
Mitsotakis: Zgjidhjet vijnë përmes dialogut
Kryeministri Mitsotakis, në një mesazh të publikuar të dielën, deklaroi se shumica dërrmuese e fermerëve janë të ndershëm dhe se çdo shumë që u takon do t’u paguhet plotësisht. Ai theksoi se duhen ndalur abuzimet me subvencionet, duke shtuar:
“Fermerët kanë të drejtë të kërkojnë më shumë dhe më mirë. Por zgjidhjet vijnë përmes dialogut. Bllokadat mund të ushtrojnë presion, por vështirësojnë jetën e përditshme të të gjithëve.”
Ai rikujtoi se mobilizimet e vitit 2024 u zgjidhën pas bisedimeve në nivel të lartë dhe se Ministria e Zhvillimit Rural mbetet gjithmonë e hapur për dialog të organizuar.
Mbështetje politike për protestuesit dhe kritika ndaj qeverisë
Dy ish-kryeministrat grekë, Kostas Karamanlis dhe Antonis Samaras, shfaqën mbështetje për kërkesat e fermerëve.
Karamanlis u shpreh se problemet e botës rurale janë bërë “çështje mbijetese” dhe kërkojnë ndjeshmëri dhe kujdes të shtuar.Samaras, më kritik, akuzoi qeverinë se nuk po merret me problemet reale të fermerëve dhe paralajmëroi se “pa fermerë nuk ka vend”.
Qeveria kërkon zgjidhje më të gjera
Burime qeveritare pranojnë se edhe nëse pagesat e OPEKEPE realizohen plotësisht, do të nevojiten masa më të gjera për të shmangur krizën dhe për të ndalur mobilizimet. U la e hapur mundësia e zgjatjes së tarifës së reduktuar të energjisë (9.2 cent/KWh), por organizatat e fermerëve thonë se kjo masë nuk mjafton.
Protestat pritet të intensifikohen gjatë javës, ndërsa qeveria përgatitet për dialog dhe njëkohësisht për skenarë të rinj bllokadash në infrastrukturën më të rëndësishme të vendit./ K.M
