Bankat dhe institucionet e tjera financiare e kanë rritur më tej peshën e tyre në strukturën e financimit të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në fund të 9-mujorit 2025, bankat mbanin gjithsej 65.3% të stokut të borxhit të brendshëm (duke përfshirë edhe pjesën e mbajtur nga klientët e tyre), nga 64% që mbanin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Njëkohësisht, edhe institucionet tjera financiare e kanë rritur peshën e tyre në 14.5% të totalit, nga 14.1% që kishte qenë pesha e tyre një vit më parë.
Rritja e peshës së institucioneve financiare në strukturën e financimit të borxhit të brendshëm mund të shpjegohet me një ecuri në përgjithësi të mirë të sektorit financiar në të gjitha segmentet. Depozitat bankare kanë vijuar rritjen me ritme të mira gjatë vitit 2025, duke zgjeruar mundësitë e bankave për të investuar në asete të reja financiare, duke përfshirë edhe letrat me vlerë të borxhit të qeverisë.
Ndërkohë, edhe në segmentet e tjera të tregut financiar gjatë vitit 2025 është vërejtur një përmirësim i ndjeshëm i fondeve të investimit. Pas goditjes nga rritja e shpejtë e yield-eve në 2022, gradualisht këto institucione i janë kthyer rritjes dhe kanë zgjeruar asetet dhe investitorët.
Gjithashtu, fondet e pensionit dhe kompanitë e sigurimeve gjithashtu në vitet e fundit kanë shfaqur një performancë të mirë dhe titujt e qeverisë shqiptare janë një ndër instrumentet ku ato investojnë likuiditetet e tyre.
Nga ana tjetër, pesha e individëve, bizneseve dhe Bankës së Shqipërisë në të borxhit të brendshëm ka pësuar një rënie të lehtë. Shifrat e Ministrisë së Financave tregojnë se individët në fund të 9-mujorit 2025 zotëronin direkt 9.38% të borxhit të brendshëm publik, nga 11.2% që mbanin një vit më parë.
Ulja e pjesës së mbajtur nga individët mund të shpjegohet së shumti me tendencën në rënie të yield-eve. Këtë vit, yield-et e bonove dhe obligacioneve të qeverisë kanë pësuar rënie të mëtejshme, duke ndjekur lëvizjet e politikës monetare të Bankës Qendrore, por edhe falë gjendjes së shëndetshme dhe likuide të sektorit financiar në vend. Kjo rënie e yield-eve e ka zbehur interesin e individëve për të investuar në këto instrumente.
Në vitet e fundit, individët e kanë shfaqur veten mjaft të ndjeshëm ndaj ecurisë së yield-eve. Rritja e shpejtë e tyre në vitin 2022 solli edhe një zgjerim të shpejtë të investimit të individëve në bono dhe obligacione. Por, me rënien graduale gjatë viteve 2023 dhe 2024, edhe investimet e individëve filluan rënien.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 9-mujorin 2025, individët investuan 19.3 miliardë lekë në tregun primar të bonove dhe obligacioneve, me një rënie prej 16.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rënie u shënua edhe në numrin e transaksioneve, që zbriti në 5857, me një rënie vjetore prej 24.8%. Sipas llojit të instrumenteve financiare, rënia është shtrirë njëkohësisht si në bono, ashtu edhe në obligacione.
Shifrat e AMF-së tregojnë se vlera e blerjeve të bonove në tregun primar zbriti në 14.9 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 16.6%. Ndërkohë, investimi në obligacione arriti në 4.4 miliardë lekë, 17% më pak krahasuar me 9-mujorin 2024.
Edhe pjesa e borxhit të brendshëm e mbajtur nga Banka e Shqipërisë ka rënë në 7.25%, nga afërsisht 8% që kishte qenë një vit më parë.
Pjesërisht, kjo mund të lidhet edhe me zhvendosjen e borxhit të brendshëm drejt afateve më të gjata të maturimit. Banka e Shqipërisë investon vetëm në bono thesari me maturim deri në një vit, por në vitet e fundit Ministria e Financave po zgjat afatin mesatar të maturimit të borxhit, duke e mbështetur më shumë huamarrjen e re në obligacione./Marrë nga Monitor
