Edon Zhegrova nuk arriti të përmbushë pritshmëritë në sezonin e tij të parë te Juventusi, pas transferimit nga Lille për 14.3 milionë euro.
Futbollisti dardan e mbylli edicionin pa asnjë gol dhe pa asnjë asist, një statistikë që nuk ishte regjistruar prej 15 vitesh për një sulmues krahu te bardhezinjtë.
Te paraqitjet e tij ndikoi edhe mungesa prej rreth 9 muajsh nga fushat për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale për problemet me pubalgjinë. Fillimisht ai u konsiderua si një alternativë e vlefshme për të ndryshuar ritmin e ndeshjeve nga stoli, por nuk arriti të ketë ndikimin e pritur.
Gjatë sezonit, Zhegrova humbi disa raste të rëndësishme që mund të kishin ndikuar në rezultatet e skuadrës. Mes tyre përmenden rasti në kohën shtesë ndaj Galatasaray, shtylla në fund të ndeshjes me Veronën dhe aksioni në sfidën kundër Fiorentinës.
Në fund të sezonit, e ardhmja e tij te Juventusi mbetet e paqartë. Klubi pritet të vlerësojë situatën e futbollistit gjatë merkatos së verës./mxh
