Fotot e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë Brigitte Macron duke i dhënë dorën humoristit Ary Abittan pak çaste para se ai të ngjitej në skenën e Folies Bergères, të dielën në mbrëmje, 7 dhjetor.
Pak ditë më parë, katër aktiviste feministe kishin ndërprerë shfaqjen duke veshur maska me fytyrën e Abittan dhe mbishkrimin “dhunues”, megjithëse aktori ishte shpallur i pafajshëm në shkallën e parë dhe më pas edhe në apel për një akuzë për përdhunim të ngritur ndaj tij në vitin 2021.
Në bisedën që ndodhi, zonja e parë iu afrua me buzëqeshje: “Si je?”. “Kam frikë”, iu përgjigj Abittan, gjithashtu duke buzëqeshur, duke treguar emocionin e çasteve para hapjes së perdeve. “Frikë nga çfarë?», pyeti Brigitte Macron. “Nga gjithçka”. “Po, ka disa tipa të këqij, do t’i largojmë”, u përgjigj ajo duke qeshur. “Vërtet?”, pyeti aktori përsëri me buzëqeshje. “Sidomos ata me maska”, shtoi zonja e parë.
Ky shkëmbim fjalësh ka nxitur debate të ashpra në Francë. Disa e kritikojnë zonjën e parë për tradhtimin e kauzës së luftës kundër dhunës ndaj grave, një çështje që presidenti Emmanuel Macron e kishte cilësuar “më të rëndësishmen” të mandatit të tij të parë në 2017.
Të tjerë argumentojnë se Abittan është gjykuar dhe pastaj i është hequr çdo akuzë pas më shumë se tre vjetësh procesesh, gjë që mjafton për të shpallur pafajësinë e tij./kb