Filmi debutues i Farah Nabulsi-t është tashmë në kinema dhe po shfaqet në Festivalin e Filmit në Torino.
nga Francesco Gallo
Nuk është vetëm Gaza që mbulon vëmendjen ndërkombëtare, por edhe një tjetër front shumë më pak i trajtuar nga media botërore: Bregu Perëndimor.
Është pikërisht këtu që zhvillohen ngjarjet e filmit debutues të Farah Nabulsi-t, The Teacher. Filmi u prezantua jashtë konkurrimit në edicionin e 43-të të Festivalit të Filmit në Torino dhe do të shfaqet në kinema duke nisur nga e enjtja, 11 dhjetor, i shpërndarë nga Eagle Pictures.
Historia ndjek një mësues palestinez, të dashur dhe të përkushtuar (Saleh Bakri), i cili përpiqet të balancojë angazhimin e tij të rrezikshëm politik me mbështetjen emocionale – gati atërore – ndaj njërit prej nxënësve të tij (Muhammad Abed El Rahman). Në jetën e tij hyn gjithashtu mundësia e një romance të re me një vullnetare (Imogen Poots).
Por gjithçka merr tatëpjetë kur një ullishte pranë Nablusit digjet nga kolonët dhe një palestinez vritet. Në të njëjtën kohë, Simon, një avokat i pasur hebre-amerikan, përdor gjithë ndikimin e tij për të gjetur të birin, një ushtar të IDF-së të rrëmbyer dhe të fshehur në zonën e Nablusit.
“Edhe pse kam lindur, jam rritur dhe jam arsimuar në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër, gjaku dhe trashëgimia ime janë thellësisht palestineze. Përvojat e mia të drejtpërdrejta gjatë udhëtimeve në Palestinën e pushtuar këto vite më kanë hapur sytë përballë padrejtësisë dhe diskriminimit të përhapur, dhe sa sistematik e i institucionalizuar është ai,” tha Farah Nabulsi për Torinon, ajo që tashmë është nominuar për Oscar me filmin e shkurtër The Present. “Doja të hyja më thellë, të eksploroja kushtet, përvojat dhe emocionet e jetës reale që e shtyjnë një person të bëjë zgjedhje dhe të ndërmarrë veprime të caktuara. Kjo është ajo që i ndodh protagonistit tonë, Basem; nxënësit të tij, Adam; dhe, në fund të fundit, Simon-it, të cilit i është zhdukur i biri. Qëllimi im ishte të çoja publikun në një udhëtim intensiv dhe emocional në jetët dhe përvojat e tyre, me shpresën që shikuesit të reflektojnë mbi zgjedhjet që detyrohen të marrin dhe mbi realitetin mizor në të cilin këto zgjedhje ndodhin.”
Si ka ndryshuar situata në Bregun Perëndimor pas luftës në Gaza? “Pas 7 tetorit, situata është përkeqësuar dhe kolonët janë bërë edhe më të dhunshëm. Megjithatë, për fat të mirë, lufta në Gaza ka rritur edhe ndërgjegjësimin për gjendjen e rëndë në Bregun Perëndimor, diçka që më parë mungonte.”
Filmi është prodhuar nga Cocoon Films, Native Liberty Productions dhe Philistine Films, në bashkëprodhim me Louverture Films, Bertha Foundation, Metafora Production dhe Dear Gaia Films.
Përgatiti: L. Veizi
