Një ngjarje tronditëse ka shkaktuar valë zemërimi në rrjetet sociale, pasi një influencuese ruse publikoi një video ku shfaqet duke futur djalin e saj të vogël brenda një qeseje plastike dhe duke përdorur një fshesë me korrent për të thithur ajrin. Pamjet, të cilat u përhapën me shpejtësi, tregojnë momentin dramatik kur fëmija i frikësuar thërret “mami” ndërsa qesja ngushtohet përreth tij.
Sipas portalit rus Life, influencuesja 36-vjeçare Anna Saparina e ka trajtuar situatën si një shaka, por autoritetet ruse të mbrojtjes së fëmijëve pritet ta thërrasin për sqarime, pasi veprimi mund të ketë vënë seriozisht në rrezik jetën e të miturit.
Reagimet online kanë qenë të menjëhershme dhe tejet të ashpra. Shumë përdorues e kanë cilësuar Saparina-n si “të papërgjegjshme” dhe “të padenjë për të qenë nënë”.
“Anna Saparina është një abuzuese e neveritshme që duhet të përfundojë në burg për tmerrimin e djalit të saj vetëm për disa klikime”, shkroi një komentues i revoltuar.
Një tjetër shtoi: “Kjo është e tmerrshme… fëmijët nuk janë eksperimente!”
Rasti ka rihapur debatin mbi etikën e të ashtuquajturve “influencues familjarë”, të cilët shpesh akuzohen se shfrytëzojnë fëmijët për përmbajtje në platformat si TikTok, Instagram dhe YouTube. Shumë ekspertë paralajmërojnë se ky lloj ekspozimi mund të dëmtojë sigurinë, privatësinë dhe mirëqenien emocionale të të miturve./mxh
