Kreu i SPAK-ut Altin Dumani ka marrë pjesë këtë të martë, më 12 dhjetor, në një takim me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Duke folur për përfundimin e mandatit të tij, Dumani u shpreh i kënaqur për punën e bërë, duke rikujtuar se SPAK ka ngritur akuza ndaj personave me peshë të rëndësishme politike, nga kryebashkiakë e deputetë, deri te ministra.
“Këto rezultate tregojnë se SPAK ka dhënë shenja se është i aftë të vërë para drejtësisë këta zyrtarë, pavarësisht pushtetit politik. Patjetër nuk është e lehtë, është e vështirë, por jo e pamundur.”, shtoi ai.
“Sfidat kanë qenë të shumta, nga më të ndryshmet, e përmenda pak në fjalën time, fillojnë fillimisht, na është dashur të përballemi me mungesën e burimeve njerëzore, duke mos patur burime njerëzore kishim vështirësi që kur krijuam këtë sfidë të madhe siç ishte lufta kundër korrupsionit..”, tha Dumani duke shtuar se pavarësisht problematikave, SPAK ka arritur të ndërtojë një standard të ri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë fjalës së tij, Dumani theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm përgjegjësi e SPAK-ut,, por duhet të jetë betejë e të gjitha institucioneve dhe, pa diskutim, edhe e vetë shoqërisë.
“Fjalët kanë peshë, kur flasim për integritet dhe përgjegjësi, ato duhet të jenë në themel të një shoqërie të drejtë, të barabartë, me institucione që funksionojnë. Nëse flasim për korrupsionin, ai është një fenomen që na gërryen në mënyrë të heshtur. Na bën të humbim shpresën, dhe krijon një realitet kur talenti dhe puna e palodhur janë të pavlera dhe përparimi është i mjegullt.”, shtoi ai.
Javën e ardhshme, me datë 18 dhjetor, zyrtarisht Altin Dumani nuk do të jetë më drejtues i SPAK. Ai do ia dorëzojë detyrën drejtuesit të ri të zgjedhur ditën e djeshme, Klodian Brahos./kb
