Last Updated on 12/12/2025 by Kesjana
Nga Mitro Çela
Kohë më parë, me Ezmerkën ecëm më këmbë në bulevard.
Ndaluam tek “Reja”. Vepër e arkitektit japonez Fujimoto.
Ngritur pikërish në sheshin, ku për 40 vjet qëndroi Stalini në bronx…
Mund të sajoi japonezi një monument për diktatorin?…
Pse një artist japones? Sepse monumentin e Stalinit e ka bërë një skluptor sivjetik.
– Kur kështu? -Pyeti Ezmerka.-
– Në vitin 1950 shoku Enver vendosi:
Në sheshin e Tiranës do ngrejmë monumentin e Stalinit!
Kush mund ta bëjë?
– Odise Paskali, – tha Mehmet Shehu. – E ka “qarë” Çerçiz Topullin në Gjirokastër dhe “Komitin” në Korçë.
– Jo! – tha shoku Enver. – Le ta zgjedhi skulptorin shoku Stalin.
Thirrën në zyrë ambasadorin sovjetik Krillov.
Ai njoftoi Moskën. Vetë Stalini zgjodhi skluptorin
Nikolla Tomski.
Sipas burimeve jo zyrtare, skluptori kishte marrë porosi të bënte katër Stalinë në bronx.
Edhe pse Baba Stalini ishte gjallë (vdiq në vitin 1953).
Nga një Stalin në bronx për Budapestin, Sofjen, Varshavën dhe Tbilisin, qyteti ku kishte lerë Stalini.
Skulptori erdhi në Tiranë. E pëlqeu sheshin. Stalini u prodhua në Moskë.
Duke qënë gjigant, Stalinin në bronx, nuk e nxinte aeroplani.
E amballazhuan si në qivur.
E nisën me vaporr nga Odesa në Durrës.
Në nëntor të vitit 1951 u bë një ceremoni e madhe për inagurimin e Stalinit.
Sheshi plot. Foli vetë shoku Enver.
Në vitin 1968 ishte 500 vjetori i vdekjes së Skënderbeut.
U hoq Stalini nga sheshi. U vendos në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Në shesh u vendos monumenti i Skënderbeut.
Vepër e Odise Paskalit në bashkëpunim me Janaq Paço dhe Andrea Mano.
21 dhjetor 1990. Natë. Deborë. Ngricë.
Rreth monumentit u mblodhën një grup me xhenierë.
Do festonin datëlindjen e Stalinit?
Jo. Ramiz Alia kishte vendosur të shkulej monumenti.
Sollën një buldozer. Nuk e shkuli dot. Erdhi një vinç. Çkuli trupin. Mbeti bazamenti.
Brënda natës skuadra arriti në Kombinatin e Tekstileve. Do shkulej monunenti.
Vinçieri u sëmur. Rëndë. Pas një jave vdiq?!
– E mallkoi Stalini?
– Leri përrallat, – tha Ezmerka.
-Ok! Por që Stalini në bronx, ka dënuar 10 djem shkodranë me 50 vjet burg?
E beson?
Janar 1980. “Kafe e Madhe”. Në një tavolinë bisedojnë disa të rinj:
si mund të rrëzojmë bustin e Stalinit.
Doli fjala. Mes të rinjve kishte edhe spiunë. U informua Sigurimi i Shtetit.
Çunat bënin plane të rrëzonin Stalinin.
Sigurimi bëri antiplan për të shkatërruar çunat.
Një javë rresht. Përgjim. Çimka. Spiunë.
Më 14 janar 1980 u arrestuan 10 djem. Pastaj erdhi gjyqi.
Fantazia e hetuesve ishte jashtë tokësore. Gjykata më keq.
Vendimi:
Dedë Kasneci – 12 vjet burg.
Aldo Perrizi – 4 vjet burg.
Flamur Begu – 3 vjet burg.
Gjergj Livadhi – 8 vjet burg.
Klaudio Daka – 4 vjet burg.
Kolec Hublina – 5 vjet burg.
Nikolin Margjini – 3 vjet burg.
Nikolin Thana – 5 muaj burg.
Rin Monajka – 7 vjet burg.
Tonin Dema – 8 muaj burg./kb
