Bianca Censori ka thyer heshtjen për (zh)veshjet e saj të guximshme… pak a shumë.
Nga ‘fustani’ i padukshëm me të cilin u shfaq në Grammy e deri te jastëkët që përdor për t’u mbuluar, daljet e saj janë kthyer në një pikë diskutimi. Flitet se është Kanye West ai që vendos për veshjet e saj duke i kontrolluar edhe dietën e aktivitetin fizik.
Megjithatë, historia nuk është rrëfyer deri më tani nga ana e vetë Bianca. Ajo ka folur për Interview, por jo drejtpërdrejt. Në vend të saj përgjigjet një grua tjetër e veshur me një trupore lateksi dhe një maskë që duket si Bianca.
Pavarësisht se veshjet janë krijuar për të tronditur, ajo thotë se vëmendja nuk ishte “qëllimi.”
“Një grua në syrin publik detyrohet të shohë versione të vetes të shumëfishohen pa miratimin e saj”, thotë vajza. “Njerëzit projektojnë, njerëzit shpikin, njerëzit fshijnë. Kështu që ajo gdhend versionet që ata krijojnë, veten fantazmë.”
Intervista pason performancën e saj artistike debutuese në Seul për projektin BIO POP që do të sjellë shtatë instalacione.
Fokusi i saj në këtë shfaqe ishte objektivizimi, ku në skenë iu bashkuan vajza që ishin veshur me trupore lateksi, maska si Bianca dhe pozonin si orendi.
“Ky nuk është një rrëfim se ndihet e ngecur. Kjo është një vepër rimarrjeje. Ajo po rimerr klonet e paautorizuara. Ajo nuk ka ngecur në imazhin e saj. Ajo po e shumëfishon derisa origjinali të kthehet në mit”, vijon “Bianca 2.”
Duke iu rikthyer zhurmës në rrjete sociale, “Bianca 2” thotë:
“Bianca i sheh rrjetet sociale neutralisht, jo si diçka ku përkushtohet emocionalisht, por si një hapësirë ku perceptimi ndryshon shpejt dhe publikisht. Ajo nuk pret lëvdata apo kritika, por është e vëmendshme ndaj mënyrës si të dyja formohen dhe qarkullojnë. Ato janë dy anë të të njëjtit mekanizëm perceptimi dhe ndryshimi mes tyre është i dobishëm. Kritika nuk është synim, por zbulon. Tregon ku janë ndjeshmëritë kulturore dhe çfarë njerëzit s’mund ose s’duan ta emërtojnë haptazi. Qëllimi kryesor i Bianca është vetëshprehja.”
Në disa pyetje të shpejta me intervistuesen, “Bianca 2” thotë se nuk do të provojë “asgjë”, historinë e kontrollon përmes “heshtjes” dhe sa për arsyen pse tani, përgjigjet se “është koha.”/K.M
