Last Updated on 22/12/2025 by EL
Nga Eduard Dervishaj (Federata e Futbollit të Mbretërisë së Spanjës, kryetar i komitetit organizator të Kupës së Botës 2030)
Fillimisht ishte radioja. Televizorët në Shqipëri pothuajse nuk ekzistonin dhe transmetimi i drejtpërdrejtë i ndeshjeve ishte një luks i rrallë, jo vetëm në vendin tonë. Radioja mbeti për vite me radhë i vetmi mjet që u mundësonte shqiptarëve, në çdo skaj të vendit, të emocionoheshin, të gëzoheshin dhe të përjetonin sportin e veçanërisht futbollin.
Roli i radios në masivizimin e futbollit në Shqipëri ka qenë i jashtëzakonshëm. Dhe ky rol nuk do të ishte i tillë pa disa zëra të veçantë, të cilët arritën të shndërronin fjalën në ndjesi dhe ndeshjen në rrëfim.

Kujtoj një radio të vogël të markës “Figaro”. Përmes saj, bashkë me motrën time, ndiqnim rezultatet e Dinamos dhe të Flamurtarit. Të dielave në mbrëmje uleshim pranë radios për të dëgjuar rubrikën sportive e cila kishte një magji të veçantë. Një mbrëmje pranvere më është gdhendur në kujtesë: po ktheheshim nga një shëtitje me prindërit, pranë shtëpisë, duke vrapuar pas xixëllonjave, dhe kishim harruar se ishte ora e rubrikës sportive. Nga një dritare e hapur, valët e radios përhapnin marshin e bukur të Fizkulturistëve, vepër e kompozitorit të shquar Prenk Jakova, muzika që hapte çdo transmetim sportiv. Pamë njëri-tjetrin në sy dhe, pa folur, u kuptuam. Ia mbathëm vrapit për të qenë sa më shpejt pranë radios.
Pas marshit, vinte zëri i radiokronistit. Një zë i kthjellët, i ngrohtë, ftesë e parefuzueshme. I pangatërrueshëm. Ishte zëri i Ismet Bellovës. Ai na e sillte ndeshjen brenda mureve të shtëpisë dhe na krijonte ndjesinë se nuk po e dëgjonim por po e jetonim.
Kujtoj veten të zhytur në kolltuk, me kokën pranë radios, ndërsa zëri i tij përhapej në dhomë:
“Stadiumi Kombëtar Qemal Stafa është mbushur plot e përplot… mijëra sportdashës kanë zënë vend në tribunat e tyre…”
Dhe më pas, me të njëjtën elegancë rrëfimi: “Është një ditë e bukur; dielli shkëlqen mbi tapetin e blertë… Të dyja skuadrat kanë dalë në fushë me këto formacione… ‘17 Nëntori’ ka zgjedhur portën në drejtim të shtëpive të kryeqytetit… Partizani në drejtim të kodrave të Liqenit Artificial të Tiranës…”

Në atë çast, imagjinata ime merrte udhë. Derbi i kryeqytetit shfaqej para syve të mi mbi një tapet të gjelbër, më i bukur se kurrë. Nuk e di pse, por pas atij komenti Tirana më dukej edhe më madhështore. I përpirë nga ndeshja, ndihesha sikur isha në stadium dhe as nuk e dëgjoja mamanë që më kujtonte detyrat e shkollës.
Me zërin e tij, Bellova u dha ndeshjeve të futbollit dimensionin që ato meritonin. Pak profesionistë kanë ditur ta kthejnë futbollin në rrëfim. Me një stil të veçantë, ku bashkoheshin pasioni, dija dhe respekti për gjuhën, ai nuk transmetonte thjesht ndeshjen, ai e tregonte atë. Ritmi ishte i saktë, fjala e matur, boshti gjithmonë ndeshja. Ai shmangte përroin e fjalëve të tepërta që shpërqendrojnë dëgjuesin.
Në transmetimet e tij nuk kishte vend për huazime të panevojshme. Bellova ishte mjeshtër i shqipes së bukur, i frazës së pastër dhe i artikulimit të qartë.
Ai nuk ishte vetëm radiokronist dhe gazetar; ishte edhe mbrojtës dhe pasurues i gjuhës shqipe.
Këtë rrugë e kishte nisur shumë herët, vetëm 16 vjeç, kur Anton Mazreku, një nga figurat më të ndritura të sportit shqiptar, i dha mundësinë të ulej për pak minuta përpara mikrofonit. Që nga ajo ditë e largët e vitit 1950, për rreth 65 vite, ai nuk u nda kurrë nga radioja dhe nga i njëjti pasion. Mund të thuhet pa hezitim se zëri i tij ka shoqëruar dy breza sportdashësish. Një jetë e tërë kushtuar mikrofonit. Një rast i rrallë në historinë e futbollit shqiptar.
Ismet Bellova nuk ishte vetëm gazetar dhe radiokronist. Ai ishte sportist, mësues i respektuar i edukimit fizik, i nderuar me titullin “Mësues i Popullit”, drejtues institucionesh sportive, autor librash dhe i shumë shkrimeve, reportazheve e analizave në shtypin sportiv.
Dje, zëri i futbollit shqiptar u shua. Por jehona e tij do të jetojë gjatë në kujtesën e atyre që patën fatin ta dëgjonin. Largimi i kësaj embleme të mikrofonit sportiv është një lajm i trishtë, por trashëgimia që ai la pas është frymëzuese dhe e paharrueshme. Detyra jonë është ta kujtojmë. Dhe ta nderojmë.
Lamtumire Profesor!
