Last Updated on 23/12/2025 by Kesjana
Nga Klevis Bakillari
Në PD, kur kundërshtari i madh nuk tundet, fillon stërvitja me kundërshtarin e vogël. Edvini rri i qetë, i paprekur, duke parë nga larg, ndërsa nervi opozitar kërkon diku të shkarkohet. Dhe e gjen zgjidhjen më të lehtë Ervinin.
Rama nuk u ndje nga protestat, nuk u shqetësua nga thirrjet, nuk u trazua nga fjalimet. Qeveria vazhdon punën, kryeministri bën ironi, i fortifikuar nga pushteti. Por diku, brenda opozitës, dikush duhej të paguante. Sepse dikujt duhet t’i biesh, kur s’ke ç’i bën atij që ke përballë.
Kështu, Ervin Salianji u kthye nga deputet problematik për pushtetin, në problem për partinë. Jo se fitoi ndonjë betejë të madhe, por se ishte i arritshëm. Rama është larg, Ervini është afër. Rama është pushtet, Ervini është klik.
Ironia është e thjeshtë: përballë Ramës, PD është e matur, e duruar, gati filozofike. Përballë Ervinit, është e shpejtë, e vendosur dhe efikase. Aty ku mungon forca politike, shfaqet refleksi administrativ. Nuk u trondit qeveria, por trondit grupi i whatsappit.
Ndaj skena është kjo: Edvini vazhdon i pathyeshëm, ndërsa Ervini bëhet fushëbetejë. Njëri mbetet kryeministër, tjetri kthehet në problem. Dhe mes këtyre dy emrave, PD zgjedh gjithmonë më të lehtin për t’u goditur. Edvini është shtet, Ervini individ. Rama kushton politikisht, Ervini kushton vetëm një vendim partie.
Sepse kur s’ke ç’i bën Edvinit, i bie Ervinit./kb
