Aktivistja suedeze Greta Thunberg u arrestua në Londër, gjatë një proteste në mbështetje të Palestinës, njoftoi grupi i fushatës me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Defend Our Juries.
Thunberg u arrestua sipas Ligjit të Terrorizmit për mbajtjen e një pankarte që shprehte mbështetje për të burgosurit lidhur me grupin Palestine Action, i cili është shpallur një organizatë terroriste nga qeveria britanike.
Sipas një zëdhënësi të Policisë së Londrës, dy persona ishin arrestuar më herët gjatë protestës për hedhjen e bojës së kuqe mbi një ndërtesë, ndërsa më vonë një grua 22-vjeçare – që ishte identifikuar si Greta Thunberg – u arrestua për shfaqjen e një objekti (në këtë rast një pankartë) në mbështetje të një organizate të ndaluar, në kundërshtim me Seksionin 13 të Ligjit të Terrorizmit të vitit 2000.
Një video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon momentin kur oficerët i marrin pankartën aktivistes. Reuters konfirmoi vendndodhjen e videos në Londër duke krahasuar pamjet me hartën satelitore dhe imazhet e regjistruara të zonës. Data e incidentit gjithashtu u verifikua nga burime të tjera dhe raporte të korroburuara.
Sipas Defend Our Juries, organizata kishte targetuar ndërtesën sepse ajo përdorej nga një firmë sigurimi që, sipas tyre, ofronte shërbime për degën britanike të kompanisë izraelite të mbrojtjes, Elbit Systems./mxh
