Një re e dendur ndotëse ka mbuluar qytetin e Pljevlja-s në Malin e Zi për një javë, duke shkaktuar shqetësim të madh te banorët dhe autoritetet, të cilat lëshuan një paralajmërim urgjent për të qëndruar brenda shtëpive për shkak të përqendrimit të lartë të dioksidit të squfurit (SO2) në ajër.
Qyteti i veriut të Malit të Zi është dominuar nga miniera e qymyrit dhe termocentrali, të cilat, sipas ekspertëve, janë burime kryesore të ndotësve të rrezikshëm të ajrit, siç janë materiet e imta të grimcave PM10 dhe PM2.5.
Përveç tymit nga oxhakët dhe mjegullës që reduktojnë dukshmërinë, banorët e qytetit thonë se përdorimi i qymyrit dhe dru të lagur për ngrohje nga disa familje është një prej shkaktarëve kryesorë të ndotjes.
Hasan Vlahovljak, një banor i Pljevlja-s, tha për TV Klan: “Këto familje krijojnë kaos, sepse njerëzit këtu përdorin qymyr për ngrohje që nga vitet 1950, kur u hap miniera e qymyrit.”
Ndërkohë, shumë qytete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Pljevlja-n, vazhdojnë të vuajnë nga nivele të larta ndotjeje për shkak të ngrohjes shtëpiake, impianteve të vjetra të qymyrit, makinave të vjetra dhe mungesës së fondeve për të adresuar problemin.
Pljevlja është një qytet i rrethuar nga male, dhe si shumë qytete të tjera të Ballkanit, vuajnë nga një fenomen i njohur si “inverzioni i temperaturës”, që shtyn ajrin më të ftohtë dhe ndotësit nga djegia e fosileve dhe makinat më afër tokës. E kombinuar me mjegullën, ndotja mund të qëndrojë për ditë të tëra.
Një kalimtar, Zorka Roncevic, tha: “Nuk kam dalë jashtë për një javë, ishte e padurueshme.”
Mjekët nga spitali lokal kanë paralajmëruar për një numër të lartë fëmijësh të vegjël që kanë pasur vështirësi në frymëmarrje, me shumë prej tyre që kanë marrë trajtim me oksigjen.
Aktivistët mjedisorë thonë se ndotja ka përkeqësuar pas rinisjes së punës në termocentralin me qymyr, pas një “rikonstruksioni ekologjik” tre javë më parë, por pa aktivizuar njësinë e de-sulfurizimit, e cila do të ndihmonte në reduktimin e ndotjes./mxh
