Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë përgjigjes ndaj gazetarëve se Shqipëria renditet si vendi më problematik brenda Këshillit të Europës për numrin e të burgosurve, veçanërisht atyre që qëndrojnë në paraburgim pa u dënuar ende. Sipas tij, numri i personave në burg pa vendim gjykate tejkalon ata që janë të dënuar.
“Shqipëria është vendi më skandaloz i gjithë komunitetit të Këshillit të Europës për përdorimin e paraburgimit. Jemi në fund të listës dhe kemi një diferencë të madhe krahasuar me vendet e tjera. Numri i të paraburgosurve pa gjyq është më i madh se ai i të dënuarve. Nuk e dini sa janë këta, sepse termat si ‘burg’, ‘vjedhje’ dhe ‘hajdut’ përdoren shpesh në mënyrë të zakonshme. Në këtë kontekst, Shqipëria ka kapërcyer një nivel të lartë të trajtimit të paraburgimeve, duke tejkaluar edhe Rusinë, e cila është përjashtuar nga Këshilli i Europës”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se probabiliteti që një person të gjendet në burg si i dyshuar është më i lartë se sa të përfundojë aty si fajtor. Ai theksoi se dokumentet e KiE mbi paraburgimin tregojnë situatën alarmante në vend.
“Sensi i drejtësisë demokratike është që më mirë të mbetet jashtë një person fajtor sesa një i pafajshëm të qëndrojë në burg. Në Shqipëri shpesh vendosen masa sigurie ekstreme pa argumentim të qartë, ndërsa çdo masë duhet të ketë arsyetim”, shtoi Rama./KM
