Shtëpia e Bardhë ka bërë me dije se, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka diskutuar një sërë opsionesh për të blerë Groenlandën, përfshirë përdorimin e ushtrisë.
Deklarata erdhi disa orë pasi udhëheqësit evropianë lëshuan një deklaratë të përbashkët duke mbështetur Danimarkën, e cila ka kundërshtuar ambiciet e Trump për ishullin Arktik.
Trump përsëriti gjatë fundjavës se SHBA-të kishin nevojë për Groenlandën për arsye sigurie, duke bërë që kryeministren daneze Mette Frederiksen të paralajmëronte se çdo sulm nga SHBA-të do të shënonte fundin e NATO-s.
Shtëpia e Bardhë tha të martën: “Presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë një sërë opsionesh për të ndjekur këtë qëllim të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe sigurisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të Komandantit të Përgjithshëm.”
NATO është një grup ushtarak transatlantik ku aleatët pritet të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast sulmesh të jashtme. Të martën, gjashtë aleatë evropianë shprehën mbështetje për Danimarkën.
“Grenlanda i përket popullit të saj dhe vetëm Danimarka dhe Grenlanda mund të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre”, thanë në një deklaratë të përbashkët udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës dhe Danimarkës.
Duke theksuar se ishin po aq të interesuar sa SHBA-të për sigurinë në Arktik, nënshkruesit evropianë të deklaratës së përbashkët thanë se kjo duhet të arrihet nga aleatët e NATO-s, përfshirë SHBA-të, kolektivisht.
Ata gjithashtu bënë thirrje për mbrojtjen e parimeve të Kartës së OKB-së, duke përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve./Kb
