Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha të premten më 9 janar se qeveria po angazhohet me grupe të ndryshme shoqërore për të zgjidhur problemet, ndërsa protestat e shkaktuara nga vështirësitë ekonomike në rritje vazhdojnë. Ai akuzoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për përfshirje në trazira dhe për përpjekje për t’i kthyer protestat paqësore në dhunë.
“Qeveria po përpiqet të angazhohet me klasat e ndryshme dhe sektorët e ndryshëm për të zgjidhur problemet. Si SHBA-ja ashtu edhe Izraeli kanë deklaruar zyrtarisht se kanë një rol në këto trazira dhe po përpiqen të kthejnë demonstratat paqësore në dhunë dhe trazira,” tha Araqchi gjatë një konferencë për shtyp në Liban.
Ndërkohë, Irani u izolua pothuajse tërësisht nga bota e jashtme të premten, pasi autoritetet ndërprenë internetin për të frenuar protestat në rritje, ndërsa videot treguan ndezje të ndërtesave dhe automjeteve në disa qytete të vendit.
Në një fjalim televiziv, Udhëheqësi Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, u zotua se nuk do të tërhiqet, duke akuzuar demonstruesit se veprojnë në emër të grupeve opozitare jashtë vendit dhe të SHBA-së. Grupi të drejtave të njeriut raportuan gjithashtu se policia ka hapur zjarr ndaj protestuesve në jug të vendit.
Araqchi gjithashtu theksoi mbështetjen e Iranit për unitetin dhe pavarësinë e Sirisë dhe kërkoi fundin e okupimit të territoreve siriane, duke theksuar se stabiliteti i Sirisë është i rëndësishëm për gjithë rajonin./mxh
