Mijëra turistë kanë mbetur të bllokuar në Lapland të Finlandës, pasi një valë e fortë të ftohti ka anuluar fluturimet nga një prej aeroporteve të saj. Nisjet nga aeroporti i Kittilës në Lapland për në vende si Londra, Bristoli, Mançesteri, Parisi dhe Amsterdami u anuluan të gjitha të dielën pasi temperaturat shkuan në -35 gradë Celsius.
Problemi pritet të vazhdojë të hënën, pasi agjencia meteorologjike e Finlandës parashikon një temperaturë minimale prej -39 gradë Celsius.
I ftohti ekstrem e bën të vështirë shkrirjen e akullit të aeroplanëve, ndërsa pajisjet e mirëmbajtjes dhe të furnizimit me karburant në tokë mund të ngrijnë. Operatori i aeroportit Finavia tha se lagështia në ajër po e përkeqësonte situatën pasi po krijonte ngricë të rrëshqitshme.
Ndërsa Laplanda – e cila përfshin Norvegjinë veriore, Suedinë dhe Finlandën – është e njohur për të ftohtin dhe borën, Laplanda finlandeze zakonisht ka një temperaturë mesatare dimërore prej -14°C, me rënie të herëpashershme në -30°C, sipas bordit të turizmit të vendit.
Aeroporti i Kittilës u shërben kryesisht njerëzve që dëshirojnë të udhëtojnë në vendpushimet e skive aty pranë dhe të shohin Dritat e Veriut, ndërsa aeroporti i Rovaniemit, më në jug, është destinacioni zyrtar për vizitorët në shtëpinë e njohur si e Babagjyshit të Krishtlindjeve.
I ftohti i pazakontë në Lapland vjen ndërsa një stuhi që kalon mbi Evropën Veriore ka sjellë kushte dimërore dhe ndërprerje të udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani./K.M
