Last Updated on 15/01/2026 by EL
William Walker, ish-shefi i Misionit të OSBE-së që i dëshmoi i pari botës masakrën serbe në Kosovë, është rikthyer sot në Reçak në përvjetorin e 27-të të masakrës që mori emrin e fshatit ku ajo ndodhi. Ai ka rikthyer në kujtesë momentet tronditëse të vizitës së parë në Janar 1999.
Në një intervistë për T7, William Walker ka folur hapur për raportin e tij me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe për kritikat që i kishte bërë qeverisjes së tij.
Ai ka theksuar se deri relativisht vonë, rreth dhjetë vjet më parë, ka qenë shumë kritik ndaj Hashim Thaçit për shkak të historive të shumta për korrupsion, jo domosdoshmërisht ndaj tij personalisht, por ndaj qeverisë dhe disa ministrive, si dhe me mungesën e bashkëpunimit me partitë dhe politikanët e tjerë.
Walker ka shtuar se kishte vërejtje edhe për lëshimet e shumta që, sipas tij, po bëheshin ndaj kërkesave të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke nënvizuar se në atë periudhë kishte qenë veçanërisht kritik.
Ai ka treguar se vetëm vite më vonë, rreth dhjetë vjet më parë, Hashim Thaçi i kishte sqaruar se nuk ishte i zemëruar me kritikat e tij, pasi e kuptonte se ato kishin për qëllim përmirësimin e gjërave për Kosovën.
Sipas Walkerit, ish-presidenti e kishte kuptuar se kritikat vinin nga bindja e tij se disa vendime po merreshin gabim. Që nga ajo kohë, William Walker ka thënë se marrëdhënia e tyre është përmirësuar dhe se janë takuar disa herë./et
