Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përmes një letre, ka ftuar presidentin turk, Recep Tayip Erdogan, të bëhet anëtar i “Këshillit të Paqes”, i cili do të mbikëqyrë qeverisjen e përkohshme të Gazës, e cila ka qenë në një armëpushim të brishtë që nga tetori. Ftesën e ka bërë të ditur presidenca turke.
“Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me Rezolutën 2803, vendosi të mbështesë Planin Gjithëpërfshirës për Përfundimin e Konfliktit në Gaza të shpallur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Brenda këtij kuadri, në Gaza po krijohet një Këshill Paqeje dhe organe përgjegjëse për sigurimin e sigurisë dhe rindërtimit. Më 16 janar 2026, Presidenti i SHBA-së Donald Trump, në cilësinë e kryetarit themelues të Këshillit të Paqes, dërgoi një letër duke ftuar Presidentin tonë, Recep Tayyip Erdogan, të bëhet anëtar themelues i Këshillit të Paqes”, tha kreu i Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës Turke, Burhanettin Duran, në një deklaratë të publikuar në X.
Në të njëjtën kohë, Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelati deklaroi në një konferencë për shtyp se po shqyrton ftesën e Donald Trump drejtuar Presidentit egjiptian Abdel Fattah al-Sisi për të marrë pjesë në të ashtuquajturin “Këshill Paqeje” për Gazën.
Dje, Shtëpia e Bardhë njoftoi disa anëtarë të Këshillit të Paqes, të cilin do ta kryesojë Trump. Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, në Këshillin e Paqes do të marrin pjesë Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i dërguari i Trump, Steve Witkoff, dhëndri i tij, Jared Kushner, ish-kryeministri britanik Tony Blair, biznesmeni miliarder Mark Rowan, Presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, dhe këshilltari politik Robert Gabriel.
Diplomati bullgar Nickolay Mladenov do të marrë detyrën e Përfaqësuesit të Lartë për Gazën. Gjeneralmajori Jasper Jeffers është emëruar komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në enklavën palestineze.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u njoftua si një nga anëtarët e “Këshillit Ekzekutiv për Gazën”, së bashku me Marco Rubio, Steve Witkoff, Tony Blair dhe Jared Kushner, Mark Rowan, si dhe diplomatin e lartë të Katarit Ali Thawadi, kreun e inteligjencës egjiptiane, Hassan Rashad, Ministren e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Reem al-Hashimi, biznesmenin izraelito-qipriot Yakir Gabbay, ish-koordinatoren humanitare të OKB-së Sigrid Kaag dhe Nickolay Mladenov, ish-i dërguarin e OKB-së në Lindjen e Mesme./mxh
