Rusia ka nisur tërheqjen e forcave nga Siria verilindore, duke shënuar një hap drejt përfundimit të pranisë ushtarake në një zonë ku qeveria e Damaskut po përpiqet të marrë kontrollin nga forcat kurde.
Sipas pesë burimeve siriane, një avion rus u ngrit nga aeroporti i Qamishlit të hënën, ndërsa një pjesë e trupave ruse po zhvendosen drejt bazës ajrore Hmeimim në perëndim të Sirisë, ndërsa të tjerët pritet të kthehen në Rusi. Rusia ka pasur trupa në aeroportin e Qamishlit që nga viti 2019, një praninë e vogël krahasuar me bazën ajrore dhe portin ushtarak në bregun mesdhetar, të cilat pritet t’i ruajë.
Forcat qeveritare nën Presidentin Ahmed al-Sharaa kanë avancuar këtë muaj në veri dhe lindje të Sirisë, duke marrë territore nga Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, ndërsa Damasku synon të konsolidojë autoritetin mbi të gjithë vendin. Një armëpushim i brishtë midis palëve u zgjat për 15 ditë të shtunën.
Një burim sigurie nga Siria perëndimore tha se automjetet dhe armatimet e rënda ruse janë transportuar nga Qamishli në bazën ushtarake Hmeimim gjatë dy ditëve të fundit. Gazetarët e Reuters vëzhguan flamuj rusë ende të valëvitur në aeroportin e Qamishlit, ku dy avionë me shenja ruse ishin të parkuar në pistë.
Mediat ruse raportuan javën e kaluar se qeveria siriane mund të kërkojë largimin e trupave ruse nga baza pasi të ketë përfunduar çlirimin e zonave kurde, pasi “aty nuk ka më gjë për të bërë rusët”.
Rusia, aleate e ngushtë e ish-presidentit Bashar al-Assad, ka krijuar marrëdhënie edhe me Sharaan që kur ai mori pushtetin rreth 14 muaj më parë. Sharaa u ka premtuar rusëve se do të respektojë të gjitha marrëveshjet e mëparshme, një shenjë që bazat kryesore ushtarake ruse në Siri janë të sigurta./MXH
