Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje paketën e ndryshimeve në Kodin Penal, si dhe një sërë projektligjesh të rëndësishme, me shumicë votash. Ndryshimet në Kodin Penal u miratuan me 85 vota pro.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi dje projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Lamallari sqaroi se ndryshimet vijnë në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit, duke afruar më tej legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian, me qëllim përputhjen për aq sa është e mundur.
Dy ndryshimet e propozuara më të debatuara në opinionin publik dhe qarqet mediatike është ashpërsimi i sanksionit penal për parkimin dysh dhe dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, duke i dhënë imunitet vetëm këtyre të fundit nga procedimi penal për veprën penale të shpifjes.
Këtë ndryshim, Lamallari e cilësoi një shembull të diskriminimit pozitiv që shteti shqiptar ka ndaj medias, ndërsa theksoi se parkimi dysh do të trajtohet si vepër penale vetëm në raste kur kjo shkelje pengon qarkullimin e autoambulancave, zjarrfikësve apo operacionet e Policisë së Shtetit.
Gjatë seancës plenare u miratuan gjithashtu:
• Akti normativ për ndryshimet në ligjin e Buxhetit 2025
• Projektligji për bashkëpunimin strategjik
• “Shqipëria në Traktatin për Pronësinë Intelektuale”
• Projektligji “Për tregtinë e pronësisë intelektuale”
• Projektligji “Për shërbimet e agjencive të udhëtimit
• Projektligji “Për tregtinë e paligjshme të duhanit”
• Projektligji “Për ndryshimin e Kodit Penal”
• Projektligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”
• Projektligji “Për organet e qeverisjes në drejtësi”
• Projektligji “Për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje”
• Projektligji “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”
• Projektligji “Për importin dhe eksportin e armëve”
• Projektligji “Për organizimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”
• Projektligji “Për Mediat Audiovizive”/K.M
