Kroacia nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes të propozuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Kështu ka deklaruar kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, pasi zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin Zoran Milanoviç.
“Ajo që mund të them është se qëndrimi i Qeverisë dhe qëndrimi i shumicës parlamentare është se në këtë moment Kroacia nuk do t’i bashkohej Komitetit të Paqes për një numër arsyesh, pas një analize të plotë”, u tha Plenkoviç gazetarëve.
Zyra e Presidentit reagoi gjithashtu lidhur me bisedën telefonike, ku konfirmoi qëndrimin për Bordin e Paqes.
“Edhe pse iniciativa që kontribuon në paqen në Lindjen e Mesme duhet të mirëpritet, qëndrimi i Presidentit Milanoviç është që Republika e Kroacisë të mos marrë pjesë në Bordin e Paqes, të cilin ai ia përcolli edhe Kryeministrit të Republikës së Kroacisë në bisedë”, thuhej në deklaratën e presidencës.
Trump lançoi iniciativën e tij “Bordi i Paqes” në Forumin Ekonomik Botëror në Davos javën e kaluar, ndërsa iu bashkuan udhëheqës dhe zyrtarë nga 19 vende që kishin rënë dakord të nënshkruanin kartën e themelimit. Edhe pse fillimisht ishte menduar të mbikëqyrte rindërtimin e Gazës, statuti i bordit nuk e kufizon rolin e tij vetëm në territorin palestinez.
Trump tha javën e kaluar se pret që më shumë se 50 vende të bëhen pjesë e Bordit të Paqes. Aleatët kryesorë të SHBA-së, përfshirë Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë shprehur dyshime në lidhje me Bordin. Të mërkurën, Bjellorusia u bë vendi i fundit që iu bashkua bordit./mxh
