Vetëm 82 ditë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Evropa ende nuk kishte gjetur paqen. Në Glasgow të Skocisë, zemër industriale e Perandorisë Britanike, zemërimi social shpërtheu në mënyrë dramatike më 31 janar 1919, në atë që historia do ta njohë si “E Premtja e Përgjakshme”.
Në sheshin George Square, mijëra punëtorë u mblodhën për të kërkuar orë më të shkurtra pune, veçanërisht javën 40-orëshe, një kërkesë që kishte marrë hov pas sakrificave të luftës dhe kthimit masiv të ushtarëve në tregun e punës. Protesta ishte pjesë e një vale grevash që përfshiu Skocinë dhe Britaninë, në një klimë të tensionuar nga frika e papunësisë, inflacioni dhe radikalizmi politik që po përhapej në Evropë pas Revolucionit Rus.
Tubimi fillimisht ishte paqësor, por situata u përshkallëzua shpejt. Përleshjet mes protestuesve dhe forcave të rendit shpërthyen në sheshin kryesor të qytetit, duke e kthyer George Square në një arenë dhune. Policët u sulmuan, demonstruesit u shpërndanë me forcë dhe kaosi u përhap në zemër të Glasgow-it.
Reagimi i qeverisë britanike ishte i ashpër dhe simbolikisht tronditës. Udhëheqësit e grevës u arrestuan, ndërsa autoritetet vendosën të shfaqin forcë ushtarake për të shmangur çdo përshkallëzim tjetër. Trupa të ushtrisë britanike, të mbështetura nga gjashtë tanke, u dislokuan në pikat strategjike të Glasgow-it dhe në zonat përreth – një pamje e pazakontë dhe alarmante për një qytet britanik në kohë paqeje.
Vendosja e tankeve në rrugët e qytetit u interpretua nga shumëkush si shenjë e frikës së establishmentit nga një kryengritje e mundshme punëtore. Edhe pse nuk u shpall gjendje e jashtëzakonshme, prania ushtarake i dha fund protestave dhe rivendosi rendin me forcë.
“E Premtja e Përgjakshme” e Glasgow-it mbeti një moment kyç në historinë sociale të Britanisë së Madhe: një përplasje mes shpresave të punëtorëve për një jetë më dinjitoze pas luftës dhe frikës së shtetit nga destabilizimi politik. Ajo shënoi një pikë kthese në marrëdhëniet mes qeverisë dhe lëvizjes punëtore, duke treguar se paqja e pasluftës ishte, në fakt, ende shumë e brishtë.
Përgatiti: L.Veizi
