Last Updated on 09/02/2026 by EL
GJKKO ka miratuar kërkesën e SPAK dhe ka vendosur dërgimin në gjyq kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, si dhe të akuzuarit e tjerë në këtë dosje.
Erion Veliaj akuzohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj. Skema dyshohet se u ngrit duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 10.09.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Miratimin e kërkesës për dërgimin në gjyq të çështjes që i përket procedimit penal nr. 27 të vitit 2024, ndaj të pandehurve: Erion Veliaj, Ajola Xoxa, Elman Abule, Shoqëria “RAMETAL” sh.p.k., Gentjan Sula, Shoqëria “AGI KONS” sh.p.k., Meriman Palushi, Shoqëria “PALUSHI” sh.p.k., Fatmir Bektashi, Shoqëria “KONTAKT” sh.p.k., Sokol Kryeziu, Shoqëria “GERARD – A” sh.p.k., Shkëlqim Fusha, Shoqëria “FUSHA” sh.p.k., Mirton Lika, Shoqëria “LANI” sh.p.k., Organizata Jofitimprurëse Qendra “HARABEL”, Ina Goxhaj, Organizata jofitimprurëse “BYL-A” (Balkan Youth Link Albania), Erald Simixhiu, Organizata jofitimprurëse Qendra “MUZA”, Linda Kazani, Organizata jofitimprurëse Qendra “EVENTUS”, Frosina Bollo, Organizata jofitimprurëse “FROBOLOUS”, Valmir Xoxa, Adela Kondaçiu, Klotilda Bushka, Flutur Xhani dhe Fatjon Baçi.”. 2. Në seancën e datës 09.02.2026 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, bazuar në nenet 75/a shkronjat “a” , “c” dhe “ç”, 332/dh pika 1, gërma “a”, 332/e, 332/ë, 332/gj dhe 13 pika 3 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 141 datë 09.02.2026, vendosi: · Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në njoftim./et
