Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural zhvilluan një takim me bankat tregtare për të diskutuar progresin dhe perspektivën e Skemës së Garancisë Sovrane për sektorin bujqësor.
Takim i nivelit të lartë kishte në fokus Skemën e Garancisë Sovrane në Bujqësi dhe Programit të Financimit të Biznesit Mikro, të Vogël dhe të Mesëm nga sektori bankar.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi se kjo skemë është një instrument plotësues që forcon transmetimin e kreditimit drejt ekonomisë reale, duke ruajtur njëkohësisht parimet e menaxhimit të kujdesshëm të rrezikut dhe stabilitetin financiar.
Sejko nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm mes autoriteteve dhe sektorit bankar për të rritur efektivitetin e saj.
Gjatë takimit u vlerësua rritja e interesit dhe aplikimeve nga fermerët dhe bizneset agro-përpunuese, si dhe nevoja për të përmirësuar më tej aksesin në financim për bujqësinë. Palët riafirmuan angazhimin për bashkëpunim të ngushtë, me synim rritjen e kreditimit, nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik./Kb
