Më 13 shkurt 1633, Galileo Galilei mbërriti në Romë, i thirrur nga fuqia e Kishës Katolike për t’iu nënshtruar Inkuizicionit. Filozof, matematikian dhe astronom i shquar italian, ai po përballej me akuzën e herezisë për mbështetjen e Teorisë Kopernikane, e cila vërtetonte se Toka rrotullohet rreth Diellit – një ide që sfidonte rrënjët e doktrinës kishtare dhe perceptimin e përgjithshëm të universit në shekullin XVII.
Në prill të po atij viti, Galileo u përball zyrtarisht me Inkuizicionin. Nën presionin e pushtetit fetar dhe me kërcënimin e ndëshkimeve të rënda, ai ra dakord të pranonte fajin, duke shpëtuar kështu jetën dhe lirinë relative në këmbim të një dënimi më të lehtë. I vendosur nën arrest shtëpiak të përhershëm nga Papa Urbani VIII, Galileo e kaloi pjesën e mbetur të jetës së tij në vilën e tij në Arçetri, pranë Firences, ku edhe vdiq më 8 janar 1642.
Galileo lindi më 15 shkurt 1564 në Piza, i biri i një muzikanti, dhe filloi studimet në Universitetin e Pizës në drejtim të mjekësisë. Megjithatë, pasionet e tij shkuan drejt filozofisë dhe matematikës. Në vitin 1589, ai u bë pedagog në Piza, ku sfidoi mësimet e Aristotelit duke vërtetuar se shpejtësia e rënies së objekteve nuk varet nga pesha e tyre. Legjenda thotë se ai testoi teorinë duke hedhur objekte të ndryshme nga Kulla e Pizës, duke u bërë një figurë që do të ndryshonte rrjedhën e shkencës.
Gjatë viteve 1592-1630, Galileo mësimdhente në Universitetin e Padovës dhe ndërtoi një teleskop që i lejoi të shikonte krateret e Hënës, katër satelitët kryesorë të Jupiterit dhe të studionte fazat e këtij planeti. Ai zbuloi gjithashtu se Rruga e Qumështit ishte e përbërë nga yje të panumërt, duke zgjeruar kuptimin e njerëzimit për universin. Pas publikimit të veprës së tij në vitin 1610, Galileo u bë i famshëm dhe u emërua matematikan i oborrit të Firences. Hulumtimet e tij e bënë një mbështetës të zjarrtë të teorisë së Nikolla Kopernikut, duke sfiduar paradigmën tokësore që sundonte mësimet kishtare.
Megjithatë, ideja se Dielli qëndron në qendër të sistemit diellor përbënte një kërcënim për autoritetin e Kishës Katolike, e cila përfaqësonte një fuqi të madhe politike dhe kulturore në Itali. Në këtë kuadër, Inkuizicioni Romak – krijuar nga Papati më 1542 për të mbrojtur doktrinën e Kishës – e nxorri Galileo përpara drejtësisë fetare. Përveç procesit, Inkuizicioni ndaloi shpërndarjen e librave që sfidonin mësimet e Kishës, duke ruajtur me fanatizëm kontrollin mbi dijen dhe moralin e shoqërisë.
Megjithëse dënimi e kufizoi lirinë e tij, kontributi shkencor i Galileos mbeti i jashtëzakonshëm. Ai hapi rrugën për të kuptuar lëvizjen e objekteve dhe strukturën e universit, duke frymëzuar breza të tërë shkencëtarësh, përfshirë Isaac Newtonin dhe formulimin e ligjit të gravitacionit universal. Më 1992, Vatikani pranoi zyrtarisht gabimin e dënimit të Galileos, duke rivendosur nderin e një prej mendjeve më të mëdha që njerëzimi ka njohur.
Përgatiti: L.Veizi
