Bashkimi Europian do të vendosë kërkesa të reja për produktet e prodhuara në BE dhe për standarde me karbon të ulët në prokurimet publike, me synimin për të favorizuar kompanitë europiane. Lajmi u bë i ditur këtë të mërkurë, më 11 shkurt, nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë një fjalimi në Antverpë.
Sipas saj, shpeshherë autoritetet publike në vendet e BE-së detyrohen të zgjedhin produkte të huaja të subvencionuara, në vend të alternativave europiane me cilësi të lartë. “Kjo është vlerë e krijuar në shtëpinë tonë, që po e lëmë mbi tryezë,” u shpreh von der Leyen.
Kërkesat e reja për prokurimet publike do të jenë në qendër të të ashtuquajturit “Akti për Përshpejtimin Industrial”, të cilin Komisioni Europian pritet ta paraqesë më vonë gjatë këtij muaji.
Presidentja e Komisionit theksoi gjithashtu se BE duhet të bëjë më shumë për të ulur kostot e energjisë dhe për të stabilizuar çmimet. Ajo e cilësoi si të gabuar faktin që taksat mbi energjinë elektrike janë 15% më të larta se ato mbi gazin.
Duke iu referuar eksporteve kineze në sektorin e teknologjive të pastra, të cilat sipas saj janë dyfish më të larta se ato të BE-së, von der Leyen nënvizoi urgjencën e situatës. “Urgjenca nuk mund të jetë më e madhe. Ne po luftojmë për një vend në ekonominë e re globale,” deklaroi ajo./mxh
