Senati i Argjentinës miratoi në orët e para të mëngjesit një reformë të debatueshme të tregut të punës, duke i dhënë një fitore të rëndësishme presidentit libertarian Javier Milei.
Projektligji u miratua pas më shumë se 13 orësh debat intensiv dhe vetëm pasi qeveria pranoi të negociojë disa ndryshime në versionin fillestar. Sipas ekzekutivit, reforma synon të nxisë investimet dhe të rrisë punësimin formal, duke reduktuar burokracitë dhe konfliktet gjyqësore në marrëdhëniet e punës.
Senatorja Patricia Bullrich nga partia në pushtet “La Libertad Avanza” mbrojti reformën, duke deklaruar se vendi ka nevojë për investime dhe se punësimi duhet të jetë një proces pozitiv për sipërmarrësit dhe familjet, jo një burim presioni apo padish të shumta.
Por opozita e majtë peroniste e kundërshtoi ashpër ligjin. Senatori Jose Mayans nga provinca Formosa argumentoi se reforma nuk do të sjellë as vende të reja pune dhe as investime në kushtet aktuale ekonomike, duke e cilësuar procesin si të njëanshëm dhe në shkelje të rregullave parlamentare.
Miratimi i ligjit u shoqërua me tensione jashtë godinës së Senatit, ku protestues u përplasën me forcat e policisë.
Projektligji tani kalon për shqyrtim në Dhomën e Deputetëve, ku pritet një tjetër debat i fortë politik./mxh
