Kryeministri britanik, Keir Starmer, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka theksuar rëndësinë e forcimit të sigurisë në Arktik, duke njoftuar dërgimin e një grupi aeroplanësh të forcave ajrore britanike në këtë rajon, në bashkëpunim me SHBA-në dhe aleatët e NATO-s.
Starmer po ashtu shprehu kënaqësinë që çështja e Groenlandës tani po zgjidhet përmes kanaleve diplomatike, duke theksuar se ky proces nuk ka dëmtuar aleancën SHBA-Britani, që sipas tij është “e fortë si asnjëherë më parë”.
Kryeministri britanik theksoi nevojën për një NATO më të integruar, ndërsa shtoi se Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj dhe të investojë më shumë në sigurinë e përbashkët.
Ai gjithashtu e konsideroi SHBA-në si një aleat të pazëvendësueshëm për sigurinë europiane dhe përkushtimin ndaj mbrojtjes së vlerave dhe rendit ndërkombëtar.
Në lidhje me luftën në Ukrainë, Starmer nënvizoi se Europa duhet të jetë e gatshme të luftojë, nëse është e nevojshme, për të siguruar një paqe të qëndrueshme dhe për të mbrojtur interesat e saj strategjike./Kb
