Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se të gjithë chatbot-et e inteligjencës artificiale duhet të mbahen përgjegjës, duke përmendur rastin e Grok të Elon Musk, i cili u gjet duke krijuar imazhe seksualizuar pa pëlqimin e personave të përfshirë.
Starmer tha se po kërkon fuqizime më të gjera për të rregulluar aksesin në internet, një masë që ai e konsideron të nevojshme për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet digjitale që ndryshojnë me shpejtësi.
Qeveria britanike njoftoi muajin e kaluar se do të konsultohej për një ndalim të ngjashëm me atë australian për fëmijët nën 16 vjeç në rrjetet sociale. Pas Britanisë, Spanja, Greqia dhe Sllovenia gjithashtu kanë paralajmëruar plane për ndalime të ngjashme.
Masa të reja do të përfshijnë më shumë chatbot-e AI, duke ndaluar krijimin e imazheve seksualizuar pa pëlqimin e personave të përfshirë, një ndryshim që do të shtohet si amendament në legjislacionin ekzistues për krimin dhe mbrojtjen e fëmijëve, i cili po shqyrtohet aktualisht në parlament.
Pyetur për një raport mediatik që sugjeronte se qeveria mund të përshpejtojë shpenzimet mbrojtëse për të arritur 3% të prodhimit të brendshëm bruto, Starmer tha se qeveria duhet “të veprojë më shpejt”.
Britania e Madhe, e cila ka paralajmëruar për rreziqet nga Rusia, kishte njoftuar në shkurt 2025 se do të rrisë shpenzimet vjetore për mbrojtjen në 2.5% të GDP-së deri në 2027 dhe synon 3% në parlamentin e ardhshëm, i cili pritet të fillojë pas zgjedhjeve të vitit 2029. Sipas raportimeve të BBC-së, qeveria po shqyrton mënyra për të arritur objektivin 3% deri në 2029, ndërsa ende nuk është marrë një vendim përfundimtar./mxh
