Last Updated on 17/02/2026 by Anisa
Ndryshimet e propozuara nga kryeministri Edi Rama dhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kanë shkaktuar një sërë reagimesh. Kundërshtarët thonë se Rama po bën këtë për të mbrojtur veten nga SPAK, ndërsa vetë Kryeministri e paraqet këtë ndryshim jo si të lidhur me një rast konkret, por si parimor.
I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, ka sqaruar se nisma ligjore e prezantuar nga kryeministri dhe kryetari i PS-së në mbledhjen e grupit parlamentar, nuk synon t’i japë mbrojtje personale askujt përballë ligjit, por të garantojë vijimësinë e funksionimit të institucioneve, por të garantojë vijimësinë e funksioneve kushtetuese.
Gogu u shpreh se debati nuk lidhet me faktin nëse një ministër apo zyrtar i lartë duhet të hetohet, ndërsa theksoi se prokuroria ka në dispozicion të gjitha mjetet për të garantuar hetim të qetë dhe të paanshëm.
“Këtu nuk po diskutojmë nëse do hetohet apo jo ministri. Do hetohet ministri, zëvendëskryeministri, kryeministri, po të doni të gjithë. Kjo nuk diskutohet. Prokuroria sot vazhdon hetimin dhe e ka të garantuar këtë. Prokurori vendos masa që të mund të hetojë në mënyrë të qetë. Nëse ka shqetësim për kontaktet, ato kufizohen. Nëse dikush largohet jashtë shtetit, i merret pasaporta. Pra masat ekzistojnë dhe garantojnë hetimin”, tha Gogu.
Ministri theksoi se çështja e ngritur lidhet me përplasjen mes nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale dhe rregullimeve kushtetuese për funksionet e caktuara ndërsa nënvizoi se ndryshimet e propozuara nuk prekin imunitetin kushtetues.
“Ne iu drejtuam Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar kush e ka kompetencën dhe si mund të sigurojmë që funksionet kushtetuese, të cilat janë të padelegueshme, të mos paralizohen. Gjykata konstatoi se ekziston një problem dhe se ka debat më të gjerë për këtë çështje. Nuk po ndryshojmë Kushtetutën dhe nuk po prekim imunitetin. Po flasim për një rregullim procedural që lidhet me funksionimin e funksioneve kushtetuese, në mënyrë që të mos paralizohet shteti”, u shpreh ai.
Sipas tij qëllimi i ndërhyrjes është korrigjimi i pasojave që mund të krijohen për funksionimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera kushtetuese ndërsa theksoi se bëhet fjalë për masën e pezullimit nga detyra, jo për masat shtrënguese që lidhen me lirinë personale, si arresti.
“Këtu po flasim për masë ndaluese që ka të bëjë me pezullimin e funksionit. Masat shtrënguese kanë të bëjnë me lirinë e personit. Në rastin e funksioneve kushtetuese, që janë të përcaktuara nominativisht në Kushtetutë, ato nuk mund të zëvendësohen. Ky është argumenti ynë. Kompetencat janë të përcaktuara në Kushtetutë. Kur kemi të bëjmë me funksione të tilla, që nuk mund të delegohen, duhet të sigurojmë që shteti të vazhdojë të funksionojë. Për këtë arsye kërkuam një interpretim, dhe tani çështja i është drejtuar Parlamentit për rregullim”, tha Gogu./AD
