Last Updated on 19/02/2026 by Anisa
Një debat i fortë është zhvilluar në Kuvend lidhur me projektin e Durana Tech Park, ku ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mohoi kategorikisht që parku teknologjik të funksionojë si një parajsë fiskale. Sipas saj, qëllimi i projektit është zhvillimi ekonomik dhe nxitja e inovacionit, dhe jo shmangia nga taksat.
Gjatë interpelancës, Ibrahimaj theksoi se lehtësirat fiskale janë instrument i përdorur gjerësisht nga qeveritë për të nxitur sektorë prioritarë të ekonomisë. “Nuk jemi në kushtet e parajsës fiskale,” u shpreh ajo, duke shtuar se modeli i Durana Tech Park është hibrid, pjesërisht fizik dhe pjesërisht virtual.
Ministrja bëri të ditur se aktualisht parku ka rreth 80 rezidentë, nga të cilët 57 kanë kontrata të finalizuara, ndërsa pjesa tjetër ndodhet në proces të avancuar. Sipas saj, 52 prej subjekteve janë me kapital të huaj dhe 48 me kapital shqiptar, çka, sipas saj, dëshmon interesin ndërkombëtar dhe zhvillimin e sipërmarrjes vendase.
Nga ana tjetër, deputeti i opozitës Agron Shehaj e kritikoi ashpër projektin, duke pretenduar se ai favorizon biznese të dyshimta dhe krijon një skemë për shmangien e taksave. Ai deklaroi se qeveria u kishte premtuar investitorëve zero taksa për t’i joshur të investonin, ndërsa qytetarët shqiptarë vijojnë të paguajnë taksa të plota.
Shehaj ngriti dyshime edhe mbi mënyrën e funksionimit virtual të parkut, duke pretenduar se një pjesë e konsiderueshme e bizneseve të regjistruara janë të lidhura me të njëjtët persona. Ai kërkoi transparencë mbi numrin e kompanive të regjistruara, përfitimet e tyre fiskale dhe nëse ka subjekte të lidhura me persona në arrati që kanë përfituar nga ky status.
“Ky park do të ishte një park teknologjik ku investitorë të huaj dhe vendas do të ndërtonin start up teknologjike, do të krijoheshin biznese inovative dhe shërbime për perëndimin. Ju premtuat që për këtë qëllim, duhet t’ju premtojmë investitorëve që ata nuk do të paguajnë taksa. Se kjo është mënyra që ata të zgjedhin të investojnë në Durana Park. S’mund t’ju kërkojmë investitorëve të huaj 23% taksa se ndryshe nuk vijnë. I thatë shqiptarëve ju do të paguani taksa, këto s’do të paguajnë. (tregon projektin) Është fushë me lopë. Tani në fakt ju nuk u dorëzuat. Nuk e bëmë dot këtë fizikisht, por mund ta bëjmë virtualisht dhe vendosët, morët dhe kolegen drejtoreshën e korporatës shqiptare të investimeve dhe ratë dakord. Se nuk mund të ndalonit projektin. 1 muaj para se të hapeshin aplikimet për bizneset që të regjistroheshin virtualisht, Ermal Beqiri, krijoi një shoqatë me biznese në fushën e teknologjisë. Si për rastësi pjesa më e madhe e bizneseve të tij u regjistruan në Durana Park. 2/3 e bizneseve që u regjistruan fiktivisht tek fusha, të paktën 46 biznese virtualisht, 2/3 janë të Beqirit. Tani unë dua të di, sa kompani janë regjistruar në Durana Pak, sa janë të lidhura me persona në arrati? Sa kanë përfituar këto kompani nga favorizimi me zero taksa. A janë përjashtuar këto kompani nga ky projekt?”, tha Shehaj gjatë interpelancës.
Debati u tensionua më tej me përfshirjen e ministrit të Financave, Petrit Malaj, i cili akuzoi Shehajn për shpifje dhe përfshirje në skema të dyshuara si parajsa fiskale. Malaj deklaroi se ndaj deputetit ekziston një kallëzim penal dhe se ai është dënuar më parë për shpifje dhe vjedhje të dhënash.
“Mezi po e pres interpelancën me ty. Këtu është fundi i botës të flasësh ti për drejtësinë, një person që është dënuar nga gjykata si hajdut të dhënash, si shpifës. Edhe hajdut dhe shpifës. Vesi del me shpirtin, ke dhe një kallëzim tjetër që përsëri akuzohesh si hajdut të dhënash. Ka kallëzim penal për ty dhe kompanitë që ke krijuar si skema të parajsës fiskale. ‘Të çon të fala Monxani’”, tha Malaj.
Shehaj iu kundërpërgjigj duke i cilësuar akuzat si të pavërteta dhe paralajmëroi se çështja do të përfundojë në SPAK. Ai akuzoi qeverinë për korrupsion dhe për favorizim të interesave të caktuara përmes projektit të parkut teknologjik.
Në fund të debatit, Shehaj iu drejtua sërish ministres Ibrahimaj, duke e akuzuar se ka firmosur dokumente që, sipas tij, favorizojnë interesa kriminale përmes modelit virtual të parkut. Ministrja, nga ana e saj, ka mbrojtur qëndrimin se projekti synon të krijojë një mjedis konkurrues për inovacionin dhe investimet e huaja.
“Ju mbroni korrupsionin me buzëqeshje. U tregtuat e sinqertë. Jo që nuk kuptohet, nga një anë e mburrni projektin, dhe nga an tjetër minimizoni efektet. Ju duhet të jeni koherente, ose jeni krenare, ose keni frikë mos del në publik që përfituesit kanë përfituar miliona euro. Thatë që e keni ideuar ju këtë projekt. Mos u bëni qesharake, e keni ideuar ju? Ju nuk keni ideuar asgjë, dhe ju nuk keni vendosur asgjë. Nuk ju pyet njeri, ju plotësoni vetëm letrat dhe mbani përgjegjësi. Ju nuk dini nga t’ia mbani. Ju nuk i shmangni dot përgjegjësitë. Do ju thërrasin në SPAK për Duranën. Si kaluat ju nga parku fizik në parkun virtual? Ju bashkë me drejtoreshën e korporatës, u bëtë bashkë dhe vendoset ta bënit virtual. Ju thanë në duhet tani të përfitojmë. Shpikët parkun virtual. po ju bie në qafë kot, ju thjeshtë keni bërë letrat”, tha Shehaj.
Debati për Durana Tech Park pritet të vijojë, ndërsa çështja e lehtësive fiskale dhe transparencës së përfituesve mbetet në qendër të përplasjes politike./A.D
